Banorët e “5 Majit”, Laprakës dhe Paskuqanit zhvilluan sot një protestë para Kryeministrisë për prishjen e banesave të tyre.
Banorët nuk pranojnë marrëveshjen me bashkinë e Tiranës, pasi e cilësojnë atë të padrejtë si dhe paralajmërojnë qeverinë se nëse Kryeministri nuk e zgjidh këtë situatë do të zhvillojmë grevë urie para Kryeministrisë.
“Një ndër gjërat më të vështira qenka kur mundohesh të krijosh dialog me një mashtrues, siç është kryebashkiaku. I kërkoj që kohën që na e dedikon neve duke na mashtruar, ta dedikojë për zgjidhje. Banorët janë treguar shumë të qytetëruar. Po bëhet një propagandë e hapur. Ai mashtron kokërr për kokërr. Unë shoh për ditë komshinjtë e mi, që u janë shembur shtëpitë dhe flenë nën rrënoja. Aktmarrëveshja fillon me një aktdhurimi. Unë nuk ja dhuroj shtëpinë bashkisë dhe askush që është këtu. Mes një qeverie negative dhe një bashkie shumë më negative, mendoj se kjo bashkia po mashtron dhe kryeministrin vetë. I kërkoj Ramës ta marrë vetë atë aktmarrëveshje, ta lexojë për 7 minuta, dhe do të kuptojë se ai vetë për shtëpinë e tij në Surrel nuk do ta firmoste në asnjë mënyrë. Ne po mbrojmë të drejtën”, tha njëri prej protestuesve.
“Kryeministri të vijë në Paskuqani sepse i kemi dhënë votën dhe të vijë të shoh terrenin dhe na jep zgjidhje”, u shpreh një tjetër protestues.
Pak ditë më parë banorët e zonës së “5 Majit”, Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit me pankarta në duar banorët e nisën protestën para Kuvendit, ndërsa më pas u drejtuan drejt Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.