Kuvendi i Malit të Zi në seancën e jashtëzakonshme sonte miratoi propozimin për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq.
Pro shkarkimit votuan 43 deputetë të partive opozitare të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual, Milo Gjukanoviq dhe deputetë të Lëvizjes Qytetare URA, ndërsa kundër ishin 36 deputetë të Frontit Demokratik (DF) dhe Demokratëve.
Beciq është kryetar i partisë proserbe Demokratët, që formoi një shumicë parlamentare me partinë e Frontit Demokratik, po ashtu parti proserbe, dhe me Lëvizjen Qytetare URA pas zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020, duke e rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit nga qëndrimi në pushtet prej 30 vitesh.
Nisma për largimin e Beçiqit dhe rënia e qeverisë, është rezultat i një krize disamujore në bashkëqeverisjen aktuale, e cila u përshkallëzua pasi Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviqit ishte e pakënaqur me punën e qeverisë për shkak të bllokadës së integrimit evropian.
Të premten me 4 shkurt, parlamenti i Malit të Zi votoi për rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiq, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020.
Edhe në atë seancë 43 deputetë votuan në favor të mocionit të mosbesimit dhe 11 kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan në parlamentin me 81 anëtarë.
Zv/kryeministri Dritan Abazoviq tha se “pas rënies së qeverisë së Krivokapiqit do të hapen bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv ku ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme”.
Mocionet e mosbesimit dhe kërkesat për shkarkimin e përfaqësuesve të ekzekutivit janë rezultat i krizës disamujore qeveritare, si mes parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë.
Ndërkaq, parlamenti i Malit të Zi, më 3 shkurt, refuzoi të diskutonte dhe votonte për shkarkimin e Zv/kryeministrit Abazoviq, të cilin e kishte kërkuar kryeministri Krivokapiq.