Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim përfaqësues të banorëve protestues të zonave të “5 Majit”, Laprakës dhe Paskuqanit në kryeqytet.
Presidenti bëri të ditur se takimi ishte kërkuar nga vetë banorët e këtyre zonave.
“Më informuan në detaje lidhur situatën e dhembshme dhe antikushtetuese që po ndodh me shpronësimin arbitrar të banesave dhe pronave të tyre dhe me faktin e mungesës së dialogut dhe dëgjimit të kërkesave të tyre legjitime nga bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Banorët më deklaruan se janë të hapur ndaj zhvillimit urban dhe përmirësimit të infrastrukturës së Tiranës, por ata nuk mund të braktisen dhe të lejojnë që interesat okulte të shkelin të drejtën e tyre jetike pronësore duke u shkatërruar pronat, pa kontrata dhe garanci të rregullt ligjore”, u shpreh Meta.
Meta bëri të ditur se i kishte garantuar se do të bënte gjithçka që zëri i tyre të dëgjohet me ndjeshmërinë më të madhe njerëzore dhe zyrtare, me të gjithë mbështetjen e tij të plotë institucionale, për të legjitimuar kërkesat e tyre që sipas Presidentit, “meritojnë të marrin përgjigjen e duhur nga organet përkatëse administrative e ligjore”.
“Beteja demokratike për një shoqëri të drejtë dhe moslejimin e kapjes së shtetit ka nevojë për ndërgjegjësimin e opinionit, zbatimin e drejtë të ligjit dhe unifikimin e të gjithë faktorëve të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zhvillim e prosperitet”, deklaroi Meta.