Ylli Shehu që ‘tradhtoi” Republikanët e Mediut për Socialistët e Integrimit të Metës, duket se u ka lënë targën edhe këtyre, megjithëse në Kuvend e quan veten deputet të LSI. Partia e Kryemadhit ka tashmë një grup parlamentar jashtë, një grup parlamentar brenda, por edhe ‘njeriun e saj’ në krye të shtetit, zotin President.
Jemi në kushtet kur LSi është e ndarë më tresh, një rrezik që është shfaqur i fortë pas ikjes së ish-shefit të saj në pallatin presidencial, në një rokadë të çuditshme që e kapatapultoi nga kryetar Kuvendi në kryetar shteti, si shenjë e fundit e ndarjes me aleatin e katër viteve qeverisje, Edi Ramën.
Pas disa muajve epileptikë kur Meta ishte President i zgjedhur dhe fushatonte për LSI-në, ndodhi edhe një habi tjetër, kur vendin e Petrit Vasilit, të zgjedhur pas vendimit të Metës për të pranuar ofertën presidenciale, e zuri Monika Kryemadhi. Ishte një zgjidhje që atë kohë dukej më e ndershmja: me Metën përpara dhe Kryemadhin pas, Vasili nuk do të konsiderohej asnjëherë si kryetari de facto i partisë.
Meta në presidencë dhe bashkëshortja në një parti që e ka nxjerrë veten jashtë sistemit, në rrugë, ngjan si akti i dytë i një historie. Cilado histori, thonë, kur përsëritet, shfaqet si farsë. Shijen e kësaj kapi edhe eurodeputeti Knut Flekenshtajn kur e përmendi ‘sekretin publik’ të Metës në pushtet dhe ‘Zonjës së parë’ në protestë. Jo se pritet që Flekenshtajn të kishte shije tjetër, megjithatë opozito-skepticizmi i tij nuk ka pse shërbehet me çdo kusht.
Për të tejkaluar Flekenshtnajnin, LSI-së, Kryemadhit, dhe sidomos Metës, u duhet të tejkalojnë vetveten. Kjo parti, e mësuar në dekadën e fundit të përkëdhelet me epitetin e ‘kingmaker’-it (atij që vendos për Mbretin) duhet të zgjohet përballë një realiteti të ri politik. Sistemi duket se i ka bërë dalje (eject) një partie e cila kërkon mesin për të vendosur fatet e pushtetit, ndërkohë që nuk është e gatshme të zhvendoset kur loja politike bëhet në ekstreme.
Kjo u shpërfaq qartë në rastin e Çadrës së opozitës dy vite të shkuara, kur Ilir Meta lëshonte sinjale të përziera. Kur një ditë dukej se do i bashkohej Çadrës, ditën tjetër shfaqej i përzemërt me Ramën. E kështu, në këtë pasiguri, derikur e pa veten në Presidencë me votat e asaj shumice që sot kërkon të rrëzojë gruaja që ka ndarë me të shortin martesor dhe atë politik.
Sa më të shumta bëhen LSI-të, aq më të pakta janë shanset e një rikuperimi, si për forcën e tretë ashtu dhe për ish-shefin e saj. Ëndrra e Ilir Metës për të marrë drejtimin e PS mund t’i kthehet në makthin e shkërmoqjes së LSI në vorbullat ekonomiko-politike që do të prodhojë një mazhorancë e dobët në imazh, por e fortë monetarisht dhe e paskrupullt politikisht.
Cila është zgjidhja? Ilir Meta duhet të vendosë për ‘strehën’ e pushtetit ose ‘Çadrën e protestës’. Edhe ai e ka një mandat për të djegur. Presidenti është mbi palët, por ai nuk ka pse të jetë neutral me palën që rrezikon ‘t’i zhdukë palët e tjera’, pra pluripartizmin.
Tri LSI-të duhe të shkrihen në një dhe vetëm themeluesi i së parës mund ta bëjë./politiko.al