Realpolitik “ flash” Nr. 40
1 – 16 SHKURT 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 3 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
Dr.Jorgji KOTE
***
1.Dialogu Prishtinë – Beograd në vend numëro edhe mbasi Lajcak dhe Escobar ishin në fillim të muajit 5 ditë në Beograd dhe Prishtinë për ta shtyrë atë më tej; por, asgjë konkrete, vetëm fjalë, dhe ato sa “për të larë gojën”, shumë mungesa, probleme, pengesa… Asgjë nuk duket në horizont, veç parashikimeve, dhe ato më tepër abuzive. Duket qartë se dialogut i mungon fryma, klima dhe mjedisi i nevojshëm. Në vend të afrimit, palët po i largohen dhe më shumë njera tjetrës. Kjo kryesisht për faj të Serbisë, e cila vazhdon në të sajën, pranon të flasë vetëm për Ballkanin e Hapur me Prishtinën, kurse të tjerat e sidomos njohjen e Kosovës e mban tabu, siç e rikofirmoi më 12 Shkurt vetë Vuçiçi.
Ndaj dhe Presidenti Biden në letrën e dytë dërguar Vuçiç më 10 Shkurt ia tha troç se rruga për në Bruksel kalon detyrimisht te njohja sa më shpejt e Kosovës. Dhe pse me vonesë, SHBA-të dhe BE-ja e kanë kuptuar se kjo njohje TANI, e jo në fund të procesit është çelësi i suksesit të dialogut pas 11 vjet negociatash në të gjitha nivelet. Ndërkohë, i Dërguari i BE-së Lajçak nuk ka mundur të krijojë bindjen dhe besueshmërinë e duhur, si ndërmjetësues i paanshëm, ca më tepër që vjen nga Sllovakia, e cila vazhdon të mos e njohë Kosovën. Madje, dhe atje ku bën “ mu” që problemi ngec te Serbia, ai u drejtohet të dyja palëve pa dallim. Mirëpo, tani është momenti të thuhen gjërat me emrin e tyre. Dialogu nuk mund të dalë nga ky ngërç, përkundrazi, “siç duken bathët” ai mund të shkojë dhe më keq e të bjerë “ në koma”. Besojmë se SHBA dhe BE do ta marrin situatën në dorë, jo më thjesht si lehtësues, por praktikisht si menaxherë përgjegjës; duke hartuar dhe përgatitur pas konsultimeve në terren draftet me versionet përkatëse e t’ua japin palëve për miratim, sipas parimit “ mere ose lere” Pastaj, gjatë rrugës të bëhen saktësimet dhe rregullimet përkatëse. Ndryshe, dialogu do të humbasë sensin dhe drejtimin, duke përfunduar në kalendat greke, si dëshmi tjetër dështimi, tanimë jo vetëm i BE-së, por dhe i SHBA-ve.
2« Shuttle » Diplomacia në provë! Ndonëse kriza e tanishme, më e madhja në 30 vitet e fundit midis Rusisë dhe Ukrainës nuk e ka kapur të papërgatitur Perëndimin, ajo mbetet tejet kërcënuese për shkak të pranisë dhe trysnisë së madhe ushtarake ruse. Ndaj, vendet kryesore perendimore filluan pa asnjë vonesë në unison « diplomacinë e krizës ose parandaluese » e cila arriti kulmet e veta dhe në farë suksesi këtë muaj me të ashtuquajturën « shuttle diplomacy » ose e « ec e jakeve » dhe atë të telefonit. Biden, Macron, Scholz, Johnson, Stoltenberg e të tjerë u panë dhe udhëtuan njeri pas tjetrit fizikisht dhe virtualisht në Uashington, Moskë, Kiev, Paris, Berlin, Bruksel, Londër dhe në biseda telefonike të minutës së fundit me Putin.
Me këtë rast u riaktivizua dhe Marrëveshja e Formatit të Normandisë e vitit 2015 midis Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës ; megjithë skepticizmin dhe problemet në interpretime ajo përbën një bazë të mirë bisedimesh për paqe.
Po ashtu, pas gati 10 vjetësh, ndonëse Polonia e kishte konsideruar si jo- relevante, ajo iu bashkua Francës dhe Gjermanisë në kuadrin e « Tripalëshes së Weimarit » në Berlin, në takimin e tri presidentëve të tyre me 9 Shkurt ; ashtu sikurse Scholz takoi më 10 Shkurt presidentët e tri vendeve balltike, etj.
Edhe pse Perëndimi do paqe, ai e ka bërë të qartë se jo me çdo çmim. Ja pse kjo diplomaci aktive po shoqërohet me paralajmërime për sanksionet më të rënda në rast agresioni kundër Ukrainës dhe dekurajimin ushtarak të Rusisë, nëpërmjet shtimit të pranisë ushtarake të SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë në Europë.
Objektivi imediat i diplomacisë perendimore të krizës mbetet shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, parandalimi i çdo veprimi luftarak, realizimi i një armëpushimi qoftë dhe të përkohshëm dhe kësisoj krijimi i premisave, hapësirës dhe kohës së nevojshme për hapat e tjerë diplomatikë. Sepse, dhe kur të realizohet objektivi i parë, vjen i dyti dhe më afat-gjatë, shqyrtimi i kërkesave ruse lidhur me praktikisht krijimin e një arkitekturë të re të sigurimit europian, edhe pse pas saj fshihet synimi për një rend të ri botëror multipolar.
- Paradë festive tematike ishte ajo çka u pa në takimin e shumëpritur Blinken – Rama më 15 Shkurt. Të paktën duke iu referuar pohimeve mediatike të dy bashkëbiseduesve. E kuptueshme kjo, përderisa takimi u zhvillua në vitin jubilar të 100 Vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mirënjohjen e përsëritur amerikane lidhur me mikpritjen shqiptare të 2000 afganëve, zgjedhjes sonë si antar jo i përhershëm i KS të OKB-së, ceremonisë së rastit një ditë më parë në Nju Jork, bashkëautorësisë me SHBA në « Pallatin e Qelqtë » dhe mesazheve të tjera të miqësisë dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, sidomos atë ushtarake. Ndonëse u përmendën dhe reformat, në fakt nuk dëgjuam asnjë shenje ose indikacion, qoftë dhe « mes rreshtave » lidhur me ndonjë koment, apo vërejtje e kritikë, natyrisht me veshjen dhe gjuhën e duhur diplomatike lidhur me disa « mëkate » dhe afera të njohura gjatë qeverisjes së tanishme gati 9 vjeçare në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Madje, këto fjalë nuk i pamë dhe as i dëgjuam të përmendeshin. Edhe pse Administrata e tanishme amerikane e ka demokracinë në « top » prioritetet e saj. Gjithçka u fol dhe trajtua me « gjuhë mjalti » ndaj dhe ky takim u duk më tepër si « qokë » protokollare; kur qoftë dhe një sinjal apo shenjë sado e vogël kritike nga aleati ynë i madh nuk do ta prishte shijen e mjaltit amerikano-shqiptar, përkundrazi, do të bëntë atë dhe më të vërtetë « bio ». Ndaj ky takim, i rëndësishëm sa ç’ishte, duket se nuk pati jehonën e dikurshme, sepse të paktën në aspektin publik ishte më shumë paradë tematike festive. Urojmë të jemi gabim, sepse në takime të kësaj natyre shumë pak del në publik, sidomos aksentet dhe notat kritike. Nga përvoja dhe prania ime diplomatike në të tilla raste, ato thuhen në takimet « kokë më kokë » dhe i njoftohen më vonë publikut.
© 2022 Argumentum