Në kabinetin italian vijojnë debatet nëse vendi duhet të investohet ekonomikisht në projektin gjeostrategjik kinez të njohur si “Rruga e Mëndafshit”. Projekti parashikon investime miliardollarëshe në nyjat infrastrukturore të vendit, por kritikohet nga vendet më të zhvilluara si një “grackë fiskale”.
Qeveria italiane vazhdon të jetë e ndarë rreth angazhimit në nismën infrastrukturore të Kinës të njohur si “Rruga e Mëndafshtë”.
E zbuluar rreth një javë më parë nga pjesëtarë të kabinetit qeverisës, dhe e kritikuar fort nga aleatë të fuqishëm, si SHBA-të dhe Bashkimi Europian, negociatat mes Italisë dhe Kinës pritet të formalizohen brenda pak ditësh me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi gjatë vizitës tre ditore që presidenti kinez Shi Xhinping ka planifikuar të mbajë në Romë.
Partia “5 Yjet” ka kërkuar që marrëveshja të lidhet sa më parë për t’i ardhur në ndihmë kompanive vendase, ndërsa rivali tjetër në qeverisje, Lidhja, ka kërkuar më shumë kujdes.
Të martën, Ministri i Ekonomisë tha se rreth temës ka shumë paqartësi dhe se debati i fundit ka krijuar një “stuhi në një gotë uji”.
Sipas tij, marrëveshja e pretenduar nuk parashikon rishkrim të rregullave tregtare të cilat i caktojnë institucionet europiane, por vetëm parimet e koordinimit ekonomik.
Nisma “Rruga e Mëndafshtë” u shpall fillimisht në vitin 2013, dhe ka si ambicie ndërtimin e një rrjeti tokësor dhe detar përmes financimit të projekteve infrastrukturore që nisin nga Kina dhe shtrihen në të gjithë Azinë Juglindore, në Afrikë, në Europë dhe në Amerikën Latine.
Për Pekinin, rrjeti italian i transportit, me nyjat e saj hekurudhore dhe portuale, konsiderohet tepër strategjik nga pikëpamja gjeopolitike pasi lehtëson lidhjet me tri kontinente të ndryshme.
Shumica e shtatë ekonomive më të avancuara të botës e kanë qortuar nismën pasi përbën një grackë fiskale për vendet në zhvillim, të cilat shpesh nuk kanë mundësitë financiare për të paguar kreditë e ofruara nga Pekini, siç ka ndodhur me rastin e Sri Lankës dhe Maldiveve.