Në ditën e dytë të Ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare të NATO-s u takuan me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikën e Jashtme Josep Borell dhe me ministrat e Mbrojtjes të Suedisë, Finlandës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Ministri Peleshi në këtë sesion, solli në vëmendje se Shqipëria vazhdimisht e ka parë bashkëpunimin NATO-BE si një nxitës kryesor në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë dhe më gjerë. “Ky bashkëpunim bëhet edhe më vital ndërsa përpiqemi të parandalojmë krizën aktuale në Ukrainë, e cila mund të ketë implikime për të gjithë kontinentin evropian”, tha ai.
Më tej, Peleshi theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për të qetësuar situatën atje e cila mund të përshkallëzohet edhe më tej. Edhe në këtë sesion ministri Peleshi përsëriti qëndrimin e vendit tonë mbi krizën në Ukrainë, duke ofruar mbështetjen për popullin, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e koordinimit dhe unifikimit të qëndrimeve dhe veprimeve ndërmjet NATO-BE dhe partnerëve të tjerë në këtë çështje.
Në takimin e ministrave të Aleancës me ministrat e Mbrojtjes të Gjeorgjisë dhe Ukrainës u diskutua rreth zbatimit të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga të dy vendet, drejt rrugës së anëtarësimit në NATO. Peleshi, në këtë sesion vlerësoi reformat, bashkëpunimin dhe kontributin e këtyre dy vendeve aspirante në kuadër të anëtarësimit në Aleancë.