Bashkia e Tiranës njofton se është duke përfunduar parkimin nëntokësor te “Rruga e Elbasanit”, i cili pritet t’i japë zgjidhje çështjes së parkimit të makinave në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit, kjo edhe për shkak të fluksit nga juglindja.
Pas dy parkingjeve të para nëntokësore, atij në Sheshin “Skënderbej”dhe atij te ish-stacioni i trenit, është thuajse gati edhe parkimi i tretë i këtij lloji në Tiranë. Bashkia e Tiranës njofton se është duke përfunduar parkimin nëntokësor te “Rruga e Elbasanit”, i cili pritet t’i japë zgjidhje çështjes së parkimit të makinave në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit, kjo edhe për shkak të fluksit nga juglindja.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, i cili thekson se veç parkimit nëpërmjet këtij investimi do të fitohet edhe një kënd modern lojërash për fëmijë dhe hapësirë rekreative për më të rriturit. “Edhe pak ditë punë nga parkimi nëntokësor te “Rruga e Elbasanit” dhe sipër Këndi i Lodrave “7 Xhuxhat”! Ky është parkingu i 3-të nëntokësor dhe këndi i 43-të publik i lodrave! Çfarë nuk thanë, por në fund veprat mbeten, jo fjalët! #TiranaQëDuam”, shkruan Veliaj.
Projekti koncepton zhvillimin e një parku rekreativ dhe park lojërash i shfrytëzueshëm nga të gjitha moshat. Përveç funksionit rekreativ është menduar edhe funksioni si parkim publik në shërbim të qytetit. Kjo është një zonë me densitet të lartë dhe plotësimi me një parkim nëntokësor ndihmon në lehtësimin e një nga problematikave më të mëdha të qytetit të Tiranës në ditët e sotme. Parkimi publik është projektuar me 2 kate nëntokë dhe ofron 146 vende parkimi në total + 2 vende parkimi për PAK (persona me aftësi të kufizuar), respektivisht 68 vende parkimi + 1 vend parkimi për PAK në nivelin -1 dhe 78 vende parkimi +1 vend parkimi për PAK në nivelin -2. Në katin -1 (parkim) janë pozicionuar edhe blloku i nyjeve higjieno-sanitare që do t’i shërbejnë parkut rekreativ.