Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha firmosi formularin e dekomunistizimit në ditën që përkon me 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Në fjalën e tij nga sheshi ‘Skënderbej’, Basha u kërkoi ndjesë ish-të përndjekurve politike për proceset e papërmbushura ndaj tyre nga forca politike që ai drejton.
Kryedemokrati u shpreh se këtë nismë ligjore do ta dërgojë në kuvend ligjore për të ndaluar ligjërimin e diktaturës dhe përdorimin e simboleve të komunizmit në publik.
“Një ndjesë e thellë në emër të PD, partia që lindi nga aspiratat për liri dhe demokraci, drejtuar të përndjekurve politikë për proceset e papërmbushura nga ne. Ky peticion na detyron ne si PD që të çojmë në kuvend iniciativën ligjore për të ndaluar ligjërimin e diktaturës dhe përdorimin e simboleve të komunizmit në publik. Vetingun e funksionarëve në raport me të shkuarën gjatë regjimit si kusht për pastrimin e administratës”, tha Basha.
Kjo nismë synon gjithashtu të gjejë eshtrat e të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit dhe dëmshpërblimin e personave që kanë vuajtur gjatë asaj periudhe.