Ceremonia e mbylljes së Lojërave të 24-ta Olimpike Dimërore u mbajt me madhështi në Stadiumin Kombëtar të Kinës në Pekin mbrëmjen e së dielës. Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach morën pjesë në ceremoninë e mbylljes.
Në 16 ditët e fundit, rreth 3 000 sportistë nga 91 vende dhe rajone kanë punuar shumë, kanë sfiduar kufijtë e tyre dhe kanë tejkaluar veten, duke thyer 2 rekorde botërore dhe 17 rekorde të olimpiadave dimërore. Duke kapërcyer ndikimin e epidemisë, Kina ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur një Olimpiadë Dimërore të thjeshtë, të sigurt dhe emocionuese. Vendet dhe objektet e garave të klasit të parë dhe shërbimet e shkëlqyera organizative kanë fituar vlerësim të gjerë nga familja olimpike dhe komuniteti ndërkombëtar. Delegacioni kinez vendosi rekorde të reja për numrin e medaljeve të arta dhe medaljeve të përgjithshme të fituara në një Olimpiadë Dimërore të vetme me 9 medalje ari, 4 argjendi dhe 2 bronzi, duke u renditur i treti në listën e medaljeve të arta dhe duke shënuar rezultatet më të mira në histori që nga pjesëmarrja e parë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1980.
Në ceremoninë e mbylljes, një anëtar i sapozgjedhur i Komisionit të Sportistëve të KON-it, në emër të të gjithë sportistëve, nderoi gjashtë përfaqësuesit e vullnetarëve dhe shprehu mirënjohjen e sinqertë të sportistëve për masën e gjerë të vullnetarëve. Lojërat Olimpike të Pekinit 2008 inicuan “Përshëndetjen e Vullnetarëve”, e cila që atëherë është bërë traditë në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike. Gjatë kësaj Olimpiade Dimërore, dhjetëra mijë vullnetarë shërbyen me entuziazëm, punuan shumë dhe fituan vlerësime universale.
Olimpiada po përfundon dhe është koha për t’u ndarë. Kinezët e lashtë shpesh palosnin shelgjet për të dhënë lamtumirën, duke shprehur dëshirën e tyre. 365 njerëz të zakonshëm nga të gjitha sferat e jetës dhe të moshave të ndryshme mbanin degë shelgu dhe u mblodhën në qendër të stadiumit, duke përfaqësuar 365 ditët e vitit.
Më pas u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit grek dhe e luajtjes së himnit kombëtar grek.
Fëmijët nga zona malore Fuping në Hebei kënduan përsëri himnin olimpik dhe flamuri olimpik u ul ngadalë nën tingujt e këngës.
Më pas filloi ceremonia e dorëzimit të flamurit olimpik. Kryebashkiaku i Pekinit Chen Jining ia dorëzoi flamurin me pesë unaza presidentit të KON-it Bach, i cili ua dorëzoi më pas kryebashkiakëve të Milanos dhe Kortina d’Ampexos, dy qytetet italiane bashkorganizatore të Olimpiadës së ardhshme Dimërore.
Më pas u luajt himni kombëtar italian dhe u ngrit flamuri italian. Qyteti i Milanos dhe ai i Kortina d’Ampexos dhanë një shfaqje të mrekullueshme me titull “Kombinimi i dy qyteteve, bashkimi i forcës”.
Thomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, mbajti një fjalim. Ai fillimisht shprehu mirënjohjen e tij për Kinën në gjuhën kineze. Bach tha se Fshatrat Olimpike të kësaj Olimpiade Dimërore ishin unike, vendet e garave mahnitëse dhe organizimi i jashtëzakonshëm:
“Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë më të sinqertë për Komitetin Organizator të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, qeverinë kineze dhe të gjithë partnerët dhe miqtë tanë në Kinë. Në emër të sportistëve më të mirë të akullit dhe borës në botë, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time. Faleminderit miq kinezë! Më shumë se 300 milionë njerëz në Kinë kanë marrë pjesë në sportet e akullit dhe borës. Sportistët kinezë të akullit dhe borës kanë arritur sukses të madh. Kjo është një Olimpiadë Dimërore me të vërtetë e pashembullt. Ne mirëpresim Kinën të bëhet një fuqi në sportet e akullit dhe borës. Urime Kinës!”
Së fundi, Bach njoftoi mbylljen e Olimpiadës së 24-t Dimërore dhe u bëri thirrje të rinjve nga e gjithë bota të takohen në Milano-Kortina d’Ampexo katër vjet më vonë për Olimpiadën e 25-të Dimërore.
Në orën 21:35, tingujt emocionues të këngës tematike të Lojërave Olimpike të Pekinit 2008 “Unë dhe ti” u dëgjuan përsëri dhe unazat e shkëlqyera olimpike u ngritën nga qendra e vendit të zhvillimit të ceremonisë. Pishtari kryesor “Floku i Madh i Borës” ra dalëngadalë dhe nën shoqërimin e këngës së pastër e eterike “Floku i borës”, zjarri olimpik që digjej prej 16 ditësh u shua gradualisht./CRI