“Rumania mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian ndaj inkurajon vendet kandidate që të mbeten të angazhuara në përpjekjet e tyre për realizimin e reformave”.
Kjo u konfirmua nga ministri rumun për Çështjet Europiane, George Ciamba, gjatë takimit informal të përfaqësuesve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, të organizuar nga Presidenca Rumune, në kuadër të takimit të ministrave për Çështjet Europiane të vendeve anëtare. Pala shqiptare u përfaqësua në këtë takim nga zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja.
Eventi ofroi një mundësi të mirë për nxitjen e dialogut mes vendeve kandidate, ku pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen mendime mbi gjendjen aktuale të reformave të brendshme të secilit vend, si dhe mbi perspektivën e avancimit të marrëdhënieve të tyre me BE-në.
Ministri rumun për Çështjet Europiane, George Ciamba, në fjalën e tij shprehu mbështetjen e Rumanisë ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian dhe mbajtjes së saj midis prioriteteve të Unionit, duke nënvizuar ndër të tjera edhe suksesin që kjo politikë ka patur, si edhe vlerën e shtuar që ajo i ka sjellë vetë BE-së në tërësi.
Në këtë drejtim, ai inkurajoi vendet kandidate të mbeten të angazhuara në përpjekjet e tyre për realizimin e reformave, të cilat kanë një rol thelbësor në modernizimin dhe transformimin e shoqërive dhe në krijimin e zhvillimeve pozitive në kuadër të politikës së zgjerimit, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018.
Nga ana e tij, zëvendësministri Dedja shprehu mirënjohjen për përpjekjet e Rumanisë në drejtim të avancimit të politikës së zgjerimit të BE-së, duke e vendosur si prioritet të axhendës së Presidencës së saj.
Po ashtu, Dedja vlerësoi faktin që, Rumania do të vazhdojë të promovojë arritjet e vendeve kandidate në procesin e reformave, si në Këshillin e BE-së, ashtu edhe në dialogun me institucionet e tjera europiane, nën dritën e Paketës së ardhshme të Zgjerimit, që do të publikohet nga Komisioni Europian deri në fund të muajit maj.
Ndërkohë, pjesëmarrësit në takim theksuan mbështetjen e tyre për forcimin e projektit europian, me theks të veçantë tek kontributi që politika e zgjerimit jep për një Europë më të fortë dhe më të bashkuar.