Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se ka dërguar “pajisje logjistike dhe kontejnerë” në vendkalimin kufitar Bërnjak, të cilat, siç tha, do t’i shërbejnë policisë kufitare.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës “po punon ekskluzivisht në interes të sigurisë së qytetarëve dhe krijimit të një ambienti të sigurt”.
Bërnjaku ndodhet në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Pas nisjes së sulmeve ruse në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti thanë se kanë marrë masa shtesë të sigurisë.
U bë e ditur se ata kanë takuar përfaqësues të mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë – por nuk u dhanë detaje as për takimet, as për masat .
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha të shtunën se “aksioni i fundit policor në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet e vlefshme”.
Qëllim i këtij aksioni, sipas saj, është “provokimi i rrezikshëm” dhe “destabilizimi i situatës në terren”.
Në deklaratën e kësaj zyre thuhet se Policia e Kosovës, 80 metra nga vendkalimi në Bërnjak, ka sjellë “makineri të rënda dhe njerëz” me “pretekstin e forcimit të postbllokut policor në vendkalim”.
“Veprime të tilla të njëanshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës kanë vetëm një qëllim: të provokojnë një destabilizim të ri të situatës në terren, në një moment shumë të ndjeshëm për sigurinë, me të cilin po përballet e gjithë bota”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ajo tha se i bën thirrje Prishtinës që të mos e provokojë Beogradin dhe serbët në Kosovë dhe të mos rrezikojë paqen dhe sigurinë, duke shkelur marrëveshjen./rel