Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka kërkuar nga komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ferenc Kajar, të shtojë trupat e këtij misioni në veri të Kosovës.
Ministri Mehaj, këtë kërkesë, të cilën pas takimit me Kajarin e publikoi në rrjetet sociale, tha se po e bën si pasojë e situatës së krijuar së fundmi në Ukrainë.
“Me qëllim të koordinimit të ngushtë me KFOR-in, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor, Ferenc Kajar. Me këtë rast, kërkova prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj”, shkroi Mehaj.
Gjithashtu, ministri kosovar bëri të ditur se janë pajtuar me komandantin e KFOR-it që të rritet koordinimi në mes institucioneve të sigurisë kosovare dhe atyre të KFOR-it, si dhe të shtohen kapacitetet dhe vigjilenca në gjithë kufirin e vendit.
“Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’u kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, përfundoi Mehaj.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nisi në orët e para të 24 shkurtit, me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin për “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Zhvillimet në mes të Rusisë dhe Ukrainës ndërkaq kanë shtuar vigjilencën edhe të institucioneve kosovare, për shkak të mundësisë që Rusia ta destabilizojë edhe rajonin e Ballkanit nëpërmjet Serbisë.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fmehaj.armend%2Fposts%2F283381170569937&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”771″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>