Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë do të çojë në më shumë vdekje dhe shkatërrim gjatë ditëve në vijim, teksa i bëri thirrje Putinit që të tërheqë të gjitha trupat ruse pa kushte.
“Ditët që do të vijnë ka të ngjarë të jenë më të këqija, me më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrime”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës në selinë e NATO-s në Bruksel.
Por ai përjashtoi dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë ose krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi vend, siç është kërkuar nga Kievi, mes frikës se lëvizje të tilla do ta tërheqin aleancën në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.
“Aleatët bien dakord se nuk duhet të kemi aeroplanë të NATO-s që veprojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës ose trupa të NATO-s në territorin e Ukrainës”, tha Stoltenberg./ Argumentum.al