Në Mal të Zi duhet të formohen autoritetet, në mënyrë që vendi të marrë një vendim të harmonizuar me NATO-n, anëtare e së cilës është, thotë admirali në pension dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se kjo nënkupton domosdonë që kriza aktuale politike në vend të zgjidhet apo që Qeveria e re të formohet sa më parë, të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe që institucionet të vihen në funksion.
Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë, organ ky shtetëror që komandon me Ushtrinë e Malit të Zi, më 2 mars, nuk mori vendim për të bërë ndryshimin e gjendjes së një njësie ushtarësh malazezë të stacionuar në Letoni, si pjesë e një force të NATO-s , nga sistemi stërvitor në një regjim gatishmërie dhe mbështetjeje.
Meqenëse vendimet e Këshillit prej tre anëtarësh merren unanimisht, puna e tij u bllokua që në fillim nga largimi i Strahinja Bullajiqit, kryesues i Parlamentit të Malit të Zi, një zyrtar i Frontit Demokratik pro-serb, i cili është një kundërshtar i hapur i NATO-s dhe një mbështetës i politikës së Rusisë zyrtare.
Përveç kryetarit të Parlamentit, anëtarë të Këshillit janë edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe kryeministri i Qeverisë, Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi.
Duke u larguar, Bullajiq bllokoi punën e Këshillit, me arsyetimin se “ai është kundër dërgimit të ushtarëve malazezë jashtë kufijve të Malit të Zi në çfarëdo aksioni ushtarak sulmues”.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi i ka demantuar deklaratat e Bullajiqit, duke thënë se asnjëherë nuk është propozuar dërgimi i ushtarëve malazezë në zonat e krizës, madje as në Ukrainë dhe se këto të dhëna janë absolutisht të pavërteta./ REL