Një nga rrugët e ish-bllokut ku ndodhen disa përfaqësi diplomatike në Tiranë si selitë e ambasadave të Kosovës, Ukrainës, Rusisë dhe Serbisë, do të emërtohet të hënën “Ukraina e lirë”, njoftoi kryebashkiaku Erion Veliaj në një postim në Twitter të shtunën. “Qyteti i Tiranës do të emërtojë “Ukraina e lirë” një segment rruge në vendin e disa misioneve diplomatike. Rastësisht në atë segment janë ambasadat e Ukrainës, Rusisë, Serbisë dhe Kosovës. Lufta e Serbisë kundër Kosovës dhe lufta ruse kundër Ukrainës kanë përcaktuar brezin tonë. Kjo rrugë do të përcaktojë qytetin tonë, shkruan Veliaj.
Veliaj, së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ndihmuan të shtunën në ngarkimin e kamionit të parë me ndihmat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës për qytetarët e Ukrainës. Veliaj ndër të tjera tha se ndihet krenar për gjithë këtë bujari dhe solidaritet.
“Ne vërtet nuk mund të çojmë armë, por mund të çojmë ushqime dhe një mesazh. E një nga mesazhet që duam të çojmë, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës të hënën, është vendimi për të emërtuar një segment në bllokun e selive të ambasadave, që ndodhet pranë ambasadës së Ukrainës, me emrin Rruga “Ukraina e Lirë”. Ky është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Qëllon që në atë rrugë ndodhet edhe Ambasada e Rusisë – do të duhet që, ata, dhe të gjithë të tjerët aty, ta ndërrojnë adresën në kartëvizita me rrugën “Ukraina e Lirë”. Është një mënyrë për të treguar se ne nuk mund të rrimë duarkryq”, u shpreh Veliaj.
Megjithatë pavarësisht këtij vendimi nga Bashkia e Tiranës që në pamje të parë duket se do të “kompleksonte” vetë ambasadën ruse që ndodhet në këtë rrugë, në fakt nuk do të ndodhë kështu. Kjo pasi Ambasada ruse tashmë ka një kompleks të ri në një zonë tjetër të Tiranës e cila është inauguruar në tetor të vitit 2019-të.
Lind pyetja, vallë çfarë do të mendoje Ambasada e Kosovës e cila pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar ndaj Ukrainës, ende kjo e fundit nuk e njeh si shtet Kosovën?
/Argumentum.al