Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore është mbyllur zyrtarisht mbrëmjen e së dielës. Nga ora 07:00 e mëngjesit qytetarët e bashkive të Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjës duhej të votonin për të zgjedhur kryetarët e rinj.
Sipas raportimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00, koha e mbylljes së procesit të votimit, ishte 30.30%. Rreth 650,000 qytetarë kishin të drejtë vote. Ajo që bie në sy është pjesëmarrja në Dibër e cila është 43.35%, më e lartë se në të gjitha bashkitë e tjera. Pas Dibrës për pjesëmarrje në votime renditet Vora me 40.33%, Lushnja me 35.96%, Rrogozhina me 30.92%, Shkodra me 29.11% dhe në fund Durrësi. me 26.27%. Pavlefshmëria e votimit është shpallur në tre qendra votimi në Shkodër, e konsideruar si bastion i demokratëve në veri të Shqipërisë, pasi për mbi 5 orë nuk ka pasur zgjedhës.
Ndonëse kjo gjendje është shkaktuar nga moti i keq, temperaturat e ulëta dhe bora, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e banorëve në votime, sidomos në qarkun e Dibrës dhe Shkodrës, megjithatë, shifra përfundimtare e pjesëmarrjes në 6 bashki është dëshmi e qartë e rritjes së mosbesimit të shqiptarëve ndaj zgjedhjeve dhe klasë politike.
Sido që të jetë rezultati i kandidatëve të partive politike, fiton kandidati i Partisë Socialiste, Partisë Demokratike apo koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, tashmë nuk ka rëndësi. Sot fitoi populli me bojkotin që i bëri si maxhorancës edhe opozitës. Heshtja e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme të gjashtë bashkive, ishte një kambanë e fortë për gjithë klasën politike në vend, pse jo dhe për vetë nderkombetaret që këto zgjedhje i kthyen në politike me deklaratat e tyre aspak diplomatike. Kush ka veshë le të dëgjojë…po, sovrani foli!
/Argumentum.al