“Sa thellë ishin të përfshirë administrata e SHBA-së dhe aleatët e NATO-s në planifikimin dhe përgatitjen e sulmit të forcave ukrainase në Donbas në fillim të marsit”, tha Konashenkov
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov publikoi dokumente që i përkasin ushtrisë ukrainase që dyshohet se përmbajnë një urdhër të fshehtë për sulm në mars kundër rajonit Donbas të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konashenkov tha se komandanti i Gardës Kombëtare të Ukrainës, gjenerali Mykola Balan, ka lëshuar një urdhër sekret më 22 janar 2022.
Duke deklaruar se urdhri u dërgua në njësitë përkatëse, Konashenkov pohoi se nënshkrimet në dokument ishin origjinale.
Ai theksoi se urdhri në fjalë përfshin një plan për përgatitjen e njësive përkatëse ushtarake për të nisur një ofensivë në zonën e operacionit të forcave të përbashkëta në Donbas.
Konashenkov tha se në shkurt autoritetet ukrainase nuk kishin plane për të zgjidhur problemin e Donbasit me forcë dhe deklaruan përkushtimin e tyre ndaj hapave diplomatikë dhe politikë.
“Megjithatë, origjinalet e dokumenteve të sulmit sekret të Gardës Kombëtare të Ukrainës vërtetojnë qartë falsitetin e këtyre pohimeve. Ka vetëm një pyetje që është e paqartë deri më tani… Sa thellë ishin të përfshirë administrata e SHBA-së dhe aleatët e NATO-s në planifikimin dhe përgatitjen e sulmit të forcave ukrainase në Donbas në fillim të marsit”, tha Konashenkov.