Për të tretën ditë radhazi janë organizuar protesta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe mallrave të ‘shportës’ në Tiranë të premten. Pjesë e valës së protestave ishin edhe studentët. Ata bënë thirrje për një protestë masive të shtunën duke thënë se janë në një gjendje ankthi nga neglizhenca e qeverisë.
Protesta e pare per diten e sotme u iniciua nga Sindikata e Taksistëve përpara kryeministrisë. Ata kërkuan heqjen e akcizës së naftës, uljen e taksës së qarkullimit, rimbursim të TVSH-së, luftë informalitetit si dhe të rishikohet neni që i ndalon ata të marrin pasagjerë në kthim. Kreu i sindikatës, Bilbil Cara tha se me rritjen e çmimit të karburantit, ato po hasin shumë vështirësi ekonomike.
‘Sot i kërkojmë kryeministrit të na mbështesë, të ulë akcizën dhe TVSH për shërbimet taksi. Kostoja nuk del. Populli do të paguajë trefish më shumë. Ne që nga viti 2009 nuk kemi ngritur çmimet. Pika e dytë është anulimi i udhëzimit të vitit 2009 ku aty thuhet se liberalizimi i taksive 4 + 1. Kjo ka degraduar biznesin tonë, sepse çdo qytetar mund të blejë makinë dhe të punojë taksi. Ka ra puna për të gjithë. Është e vështirë që një taksist të punojë dhe të mbajë familje. Ne nuk jemi autobusi jemi 4+1, pse ne duhet të kthehemi bosh, kur unë kam prenotim rezervim. Kemi hasur vështirësi edhe me familjet tona, nuk i kthejmë dot ata.’- tha Cara.
Taksistët thanë se bashkia po përpiqet që t’i detyrojë ata të punojnë për kompanitë e taksive, që sipas tyte mbështeten nga vetë bashkia.
‘Populli s’ka bukë të hajë këto na tregojnë ne makinat elektrike. Ku i kemi ato lekë ne?! Ky po na detyron ne që të mbyllim taksitë tona, dhe të punojmë për ato. Nuk do të zvarritemi dhe të presim lëmoshë. Keni dëgjuar ndonjëherë kryetarin e bashkisë të flas për ne?! Ku i gjeti flotat ai? 1 mln euro për të blerë makinat e tyre! Ku i gjetën këto lekët ato?! Kjo është një protestë paqësore, dhe kërkojmë të drejtat tona që nga viti 2009. Bashkia ka ca oligarkë, me ca kompani fantazma që i mbështet. Prej pardje deri më sot taksisë i duhen 10 mijë lekë më shumë. Taksistët janë në zgripin e fundit. Paguajmë shumë taksa. Taksisti nuk faturon çmimin kemi taksimetër, zbatojnë taksimetër dhe janë totalisht të djegur. Përveç trafikut na u shtua edhe nafta. Shkresat që kemi çuar, kanë mbetur në vesh të shurdhër.’- u shprehën taksistët.
Pasi protestuan para kryeministrisë, taksistët marshuan drejt bashkisë së Tiranës dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Sindikata e Taksistëve kanë paralajmëruar sërish protestë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndërsa Korça u zgjua nga protesta e qindra studentëve. Me moton: “Ju rrisni çmimet, ne rezistencën!” qindra studentë të Universitetit “Fan Noli” në Korçë bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë. Nga godinat universitare marshuan përgjatë pedonales për të mbërritur para bashkisë.
Për disa minuta vështirësuan lëvizjen e kalimtarëve dhe automjeteve por me ndërhyrjen e policisë rruga u zhbllokua. Arsyeja kryesore e protestës është rritja e çmimit të biletës së autobusëve si dhe çmimet për ushqimet e shportës.
Rreth mesditës u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale për rritjen e çmimit te naftës. Qytetarët tentuan të bllokojnë rrugën në rrethrrotullimin e terminalit të Korçës. Mes turmës u shfaqen deputetët e Berishës, Edmond Spaho dhe Sorina Koti. Madje një një moment Spaho, tenton të çajë kordonin e policisë dhe përplaset me efektivët. Më pas protestuesit marshuan drejt qendrës së qytetit.
Për të dytën ditë radhazi edhe fermerët e Myzeqesë protestuan. Përreth 30 minuta bllokuan kryqëzimin “Pushimi i shoferit” në autostradën Lushnje-Fier. Fermerët kërkojnë uljen e çmimit të naftës dhe pesticideve që sipas tyre po rrënojnë sektorin e bujqësisë. Fermerët paralajmërojnë për protesta të vazhdueshme deri në plotësimin e kërkesave.
Studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës po ashtu kanë nisur sot një protestë paqësore kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore.
Me thirrjet “fikni makinat, bashkohuni me ne”, studentët kanë nisur në këmbë marshimin nga Universiteti Bujqësor drejt Tiranës, derisa u përqendruan përballë godinës së Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.
Më pas studentët janë ndalur në qendër të Tiranës në sheshin “Skënderbej”, ku komunikuan se do t’i bashkohen protestës së orës 17:00.
Ndërsa në orën 17:00 jo vetem në Tiranë, por në disa qytete njëkohësisht si në Durrës, Lezhe, Berat, Diber qytetaret kan dale serish ne sheshe dhe rruge kryesore duke protestuar.
Protestuesit thyen gardhin e policisë dhe bllokuan autostradën Durrës-Tiranë, në shenjë proteste kundër rritjes së çmimeve. Policia ka kapur disa protestues. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe forca të tjera policore.
Protestat kundër rritjes së çmimeve janë organizuar edhe në Dibër. Mësohet se qytetarët janë vendosur në “Rrugën e Arbrit” dhe qarkullimi është bllokuar për disa orë.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, qytetarët kanë marrë pjesë në protesta dhe kanë bllokuar rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë. Policia ka shoqëruar në komisariat disa protestues të Bulqizës.
Pas këtyre protestave në ditën e tyre të tretë, Kryeministri, Edi Rama ka bërë një reagim në rrjetet për ditën e tretë të protestave kundër rritjes së çmimeve.
Rama akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta si organizatorë të fshehtë, duke theksuar se protestuesit nuk përfaqësojnë popullin.
“Për kë e njeh dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur, këto protesta janë një përpjeke e ulët e të të njëjtave hije të së shkuarës, për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën! Ky nuk është populli, po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës”, shkruan Rama.
Të shtunën në orën 11:00, qytetarët kanë paralajmëruar një tjetër protestë në sheshin “Skënderbej”.
/ Argumentum.al