Protesta e organizuar nga organizatat e shoqërisë civile ka hyrë të dielën në ditën e pestë, ndërsa qytetarët janë mbledhur sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës.
Në kryeqytet, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, e më pas vazhduan marshimin drejt kryeministrisë. Me pankarta në duar ata kërkuan masa për uljen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Profesor Ervin Goci deklaroi se Rama po e përdor luftën në Ukrainë për propagandë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës me fatura në dorë.
Folësit nga shoqëria civile kanë thënë gjithashtu se plani 7-pikësh i propozuar nga qeveria si Paketa e Rezistencës Sociale është vetëm një mashtrim tjetër.
“Plani me 7 pika është vetëm një mashtrim tjetër. Asgjë nuk i është shtuar planit të qeverisë”, thanë disa qytetarë pjesëmarrës në protestë.
Të dielën ka pasur protesta edhe në qytete të tjera si në Korçë, Devoll, Kukës dhe Gjirokastër.
Protestuesit deklaruan se do të jenë çdo pasdite në orën 17:00 para Kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre./ Argumentum.al