Në këto ditë debatesh e protestash për rritjen e kostos së jetesës, e shprehur më hapur për kërcimin e menjëhershëm te karburantet, le të bëjmë nja dy llogaritje të shpejta për të evidentuar nga se përbëhet ky çmim në pompën e naftës.
Në çmimin për litër që afishohet në çdo pikë distributori karburanti kemi një strukturë ndarjesh të të ardhurave, ku përfshihen aktorë të ndryshëm e ku dallohen si më kryesorët furnitori importues, tregtarët e shumicës dhe ata të rrjetit të shpërndarjes, për ta sjellë deri te pompa e mbushjes së makinës dhe sigurisht, shteti që për një mall të tillë strategjik, sikurse quhet, ushtron një sërë taksash e tarifash e që po ashtu ndikojnë jo pak në arritjen e çmimit përfundimtar për konsumatorin.
Kur nafta ishte 180 lekë/litër
Le të konsiderojmë periudhën para krizës së ditëve të fundit, kohën kur referenca e çmimit në bursë ishte te niveli i 80$ për fuçi naftë e ndërkohë çmimi te pompa e në distributor ishte rreth 180 lekë për litër. Ndarja e të ardhurave për çdo litër, për secilin prej aktorëve që përmendëm do të ishte si më poshtë:
Shteti në buxhet do të arkëtonte TVSH 30 lekë, akcizë 37 lekë taksë, qarkullimi 27 lekë, taksë karboni 3 lekë, rilicencimi rreth 5 lekë, dhe taksa të tjera indirekte për shërbimet që kryhen nga koncesionarët si markimi, skanimi, pompa prej rreth 5 lekë për litër. Kështu, pjesa e shtetit në strukturën e çmimit për litër arrinte në nivelin 107 lekë për litër.
Nëse i zbresim pjesën që është e ardhur për buxhetin e shtetit dhe pagesat për shërbimet e tjera, pjesa e mbetur për tregtuesit është 73 lekë. Duke e vlerësuar se nafta është një produkt që kuotohet në bursë dhe blerja e saj bëhet nga grosistët që e sjellin me anije-cisterna, me një çmim të përafërt me të bursës, do të duhet të zbresim të ardhurën që do ta marrë shitësi primar, eksportuesi, jashtë zinxhirit të tregtisë në vend.
Kjo pjesë, nëse do të vlerësonim kuotimin e ditës së këtij kalkulimi, do të llogaritej në çmimin për fuçi (barile) 80 USD që në lekë do të konvertohej me kursin e USD prej 108 lekë, në vlerën 8.640 lekë për fuçi nafte.
Duke pjesëtuar për 159 litra që ka fuçia e naftës do të dilnim tek kosto e importit prej rreth 55 lekë për litër, që do të përbënte pagesën minimale për furnizuesin e naftës me anije.
Pra për zinxhirin tregtar deri te serbatori i automjetit mbetet diferenca që përmendëm më lart, pas heqjes së taksave e tarifave shtetërore, pagesave koncesionare dhe pagesën për furnitorin në anije, kështu kjo diferencë arrin në 18 lekë për litër. Kjo është shifra maksimale që mbulon kostot operacionale të magazinim-shpërndarjes, deri në pompën e naftës që mbush serbatorin e mjetit.
E sigurisht, këtu brenda përfshihen edhe marzhet e fitimit në secilën hallkë, pas zbritjes së kostove përkatëse. Sikur të pranonim një nivel përfitueshmërie prej 50% (ekzagjerojmë pak por nuk na prish shumë punë në vlerësim) do të kishim një përfitim prej të gjitha hallkave që operojnë në nivelin prej 9 lekësh për litër.
Nafta 230 lekë
Në situatën e krizës së shkaktuar nga Lufta pushtuese e Putinit në Ukrainë, dieseli apo nafta, si karburanti më i përdorur nga shqiptarët, arriti deri dy ditë më parë në 230 lekë (pas një kulmi ditor në 260 lekë për litër, ndërsa aktualisht zbriti në 217 lekë për litër pas vendimit të qeverisë).
Në këtë çmim, ndarja përkatëse që kryem më lart do të rezultonte si vijon:
Shteti përfiton TVSH 38.3 lekë, akcizë po 38.3 lekë (37 lekë + 1.3 lekë indeksimi i inflacionit që hyri në fuqi në janar të këtij viti, taksë qarkullimi 27 lekë, taksë karboni 3 lekë, rilicencimi rreth 5 lekë, dhe taksa të tjera indirekte për shërbimet që kryhen nga koncesionarët si markimi, skanimi, pompa prej rreth 5 lekë për litër. Vetëm taksat për shtetin janë rreth 116,6 lekë.
Nëse i zbresim pjesën që është e ardhur për buxhetin e shtetit dhe pagesat për shërbimet e tjera, pjesa e mbetur për tregtuesit është rreth 113,4 lekë. Sikurse në rastin e shpjeguar më lart, edhe këtu do të duhet të zbresim të ardhurën që do ta marrë shitësi-furnizues primar, jashtë zinxhirit të tregtisë në vend.
Kjo pjesë, nëse do të vlerësonim kuotimin e ditës së këtij kalkulimi, do të llogaritej në çmimin për fuçi (barile) 108 USD që në lekë do të përbënte 12,187 lekë. Duke pjesëtuar për 159 litra që ka fuçia e naftës do të dilnim tek kosto e importit prej rreth 77 lekë për litër, që do të përbënte pagesën minimale për furnitorin e naftës në anije.
Këtu po njësoj, si në rastin më lart, nuk po i hyjmë kalkulimeve që në fakt nuk janë të neglizhueshme për të marrë parasysh diferencat naftë bruto me produkt të gatshëm për konsum.
Pra, për zinxhirin tregtar brenda vendit deri tek serbatori i automjetit mbetet diferenca që përmendëm më lart, pas heqjes së taksave e tarifave shtetërore, pagesave koncesionare dhe pagesën për furnitorin në anije që për rastin e krizës do të rezultonte vlera 36.4 lekë.
Nëse do të mbanim të pandryshuar koston e operimit për këta aktorë vendas, sikurse në rastin para krizës prej 9 lekë për litër, do të na rezultonte një marzh bruto prej 27,4 lekë për litër.
E krahasuar me shifrën e periudhës së qetë, kjo duket e ekzagjeruar, por në periudhën që jetojmë kur luhatjet e çmimit janë me frekuencë orësh e minutash kushdo që të ndodhej në këto situata, do të tentonte të mbrohej me ca marzhe më të larta. Kolpot e bursës ndërkombëtare i vuajnë, apo i përfitojnë aktorët e këtij tregu.
Duket qartë se në periudhë krizash e luhatjesh të çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka një shmangie me tendencë rritje të marzheve për tregtarët të cilët, për të qenë të saktë, tentojnë me këto lloj marzhesh të krijojnë edhe një mburojë për veten e tyre si mbrojtje ndaj luhatjeve të papritura që mund të jenë në të dy krahët, si për lart, edhe për poshtë.
Por ajo që rezulton më se e qartë për fushën e karburanteve në raste krize është fakti që buxheti përfiton me rritjen e çmimeve dhe madje, pa u lodhur fare dhe pa asnjë ekspozim risku. Madje ky përfitim është në përmasë të ndjeshme dhe as që krahasohet me operatorët, që sidoqoftë i ekspozohen riskut të ndryshimit të papritur të çmimit.
Nisur nga shifrat e përmendura që dëshmojnë për pozicionin dominues në pjesën e të ardhurave që buxheti i shtetit përfiton nga shitja e këtij produkti strategjik, nuk ka asnjë dyshim që i pari që do të duhej të tentonte të mos rriste në mënyrë abuzive të ardhurat në këtë periudhë krize duhet të ishte qeveria (administratorja e shtetit) e cila, për çudi, fshihet pas tregtarëve edhe për një gjë që është fare evidente.
Vetëm brenda një muaji, niveli i të ardhurës së buxhetit për një litër është rritur gati me 10 lekë për litër, ose afro 10% me shumë se para krizës.
Mbetet që të na shkojë ndër mend se në qeveri të kemi interesa shumë të forta për të mos marrë guximin që të bëjnë një hap minimal ku, të paktën në rastin e kësaj krize, të ardhurat e qeverisë të mbeten të paktën të pandryshuara sikurse para krizës. Mënyrën që zgjedh qeveria për të ulur pjesën e saj të të ardhurës nuk do të ishte e udhës t’ia tregojmë ne.
Në vendet me qeveri të përgjegjshme, ajo që po ndodh është zvogëlimi i pjesës së të ardhurave të buxhetit që përfitohen për këto produkte, apo shërbime nga shteti në këtë situatë krize, duke ulur nivelin e taksimit për këtë periudhë me synimin për t’i ardhur në ndihmë, veçanërisht atyre më pak të mbrojturve nga rritja e pakontrolluar e çmimeve që pasojnë rritjen e çmimit të karburanteve./Monitor