Editorial
Një momentum historik u shënua sot (17.03) ku flukset e gazit në Evropë nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) arritën kapacitetin e tyre të plotë prej 10 miliardë metra kub në vit për herë të parë pas një rritjeje prej 40% që nga mesi i dhjetorit, ka thënë TAP. Në një kohë kur Europa kërkon burime alternative energjie pas embargove ndaj Rusisë, ky tubacion i jep një frymarrje tjetër të sigurtë vetë Europës.
Gazsjellësi Trans Adriatik, i cili sjell gaz nga Azerbajxhani dhe kalon përmes Shqipërisë në Itali TAP ka transportuar gjithsej 10 miliardë metra kub gaz natyror nga Azerbajxhani në Evropë. Nga këto, rreth 8.5 arritën në Itali. Kjo është bërë e ditur nga e njëjta kompani që menaxhon infrastrukturën, në pronësi të bp (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%). TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz në sektorin e Azerbajxhanit të Detit Kaspik për në Evropë. Tubacioni 878 km i gjatë lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, kalon Greqinë dhe Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të zbarkojë në Itali. Ndërsa dërgimi i gazit për herë të parë nga Azerbajxhani në Itali filloi në dhjetor 2020.
Ky lajm ndonëse nuk ndikon drejtpërdrejtë në Shqipëri, në fakt është përshëndetur dhe mirëpritur shumë mire nga e gjithë klasa e politikës shqiptare.
Kujtojmë se TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, një bashkëpunim i suksesshëm ndërmjet Shqipërisë, me qeverinë e Azerbajxhanit, partnerëve evropianë dhe SHBA-ve.
Ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. Vendi ynë ka vendosur në dispozicion të tij 125 km në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik.
Në vitin 2013, Shqipëria e bë pjesë e projektit TAP ku Tirana zyrtare dhe Kryeministri në ikje në atë kohë z. Sali Berisha kanë qenë një nga mbështetësit më të fortë të projektit në arenën ndërkombëtare, përmes lobimeve në Azerbajxhan por edhe në korridoret e Brukselit. Kështu, për herë të parë ajo do të bëhej pjesë e një rrjeti ndërkombëtar në transportimin e gazit.
Në fakt si qeveria e kaluar, e cila punoi fort për tu bërë pjesë e ketij projekti strategjik, edhe qeveria aktuale në pushtet në Shqipëri janë krenarë që janë një vend tranzit për gazin nga Azerbajxhani në Europë. Kjo merr një vlerë të jashtëzakonshme në ditët e sotshme ku falë TAP rritet ndjeshëm pavarësia e Europës nga gazi rus.
Por lajmi i ditës së sotme, ku për herë të parë TAP-i që kalon nga Shqipëria furnizoi Italinë me gazin e Azerbaxhanit ka risjellë në vemendje këtë projekt jo vetëm për rëndësinë gjeostrategjike që ka sidomos sot në Europë por edhe për të treguar se Shqipëria pavarësisht këtij projekti madhor mbetet vendnumëro sa i përket aksesisimit të gazit azer në vend.
Shqipëria vertet u bë pjesë e një prej investimeve më të rëndësishme për ekonominë dhe pozicionimin gjeopolitik, siç është gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline por ende është larg përfitimit të gazit azer që kalon në tokat shqiptare.
Duke qene se Shqipëria, prodhon sasi të papërfillshme gazi ka nevojë që të sigurojë gaz përmes të tretëve për të përmbushur nevojat e saj në gjithë popullatën. Por që të realizohet kjo ajo ka nevojë të krijojë një sistem shpërndarjeje dhe transmetimi. Ndryshe nga vendet e rajonit ku ka nje rrjet gazifikimi që nga koha e Ish-Jugosllavisë, Shqipërisë i mungon ky sistem. Ndaj deri tani përfitimi real i ekonomisë shqiptare nga ky projekt është afrimi me integrimin në BE, por sot ndërsa jemi në mesin e një krize ndërkombëtare të energjisë është jetike që Shqipëria të përfitojë drejtpërdrejtë nga gazi azer.
Në fakt Azerbajzhani ka treguar gatishmërinë e tij herë pas here që ti sigurojë gaz Shqipërisë.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, z. Anar Huseynov, ka deklaruar vetëm pak javë më parë se Azerbajxhani është i gatshëm të sigurojë gaz për Shqipërinë, por sikunder e cituam më lart ka nevojë për infrastrukturën e nevojshme për këtë dhe pritet vendimi përfundimtar i qeverisë shqiptare nëse do të thotë po për propozimin e Azerbajxhanit. .
“Azerbajxhani është gati të furnizojë Shqipërinë me gaz. Shqipëria është pjesë e gazsjellësit TAP, por ne do të ishim shumë të kënaqur ta kishim Shqipërinë si anëtare të familjes së vendeve përfituese direkte të gazit. Nga ky këndvështrim, Azerbajxhani është i gatshëm të shqyrtojë propozimet e Shqipërisë për marrjen e gazit nga vendi ynë. Por gjithçka varet nga politika energjetike që do të ndjekë vendi juaj, varet nga prioritetet që ka Shqipëria. Mund të ulemi së bashku në bisedime për të diskutuar bashkëpunimin afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e energjisë për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror. Me sa kuptoj personalisht, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja ka vizituar Azerbajxhanin në emër të qeverisë shqiptare dhe ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar për gazsjellësin TAP më 4 shkurt. Ai u takua me homologët e tij nga Azerbajxhani, por siç unë kuptojeni për momentin, Shqipëria po e shqyrton këtë çështje, duke parë perspektivën e një bashkëpunimi të mundshëm me Azerbajxhanin, i cili është i hapur për bashkëpunim dhe për t’ju ofruar gaz”, tha ambasadori Huseynov në një intervistë për mediat vendase.
Po ashtu kujtojmë se Takimi i 8-të Ministror i Këshillit Këshillimor të Korridorit Jugor të Gazit (SGC) u mbajt në Gulustan Palace, Baku, në fillim të shkurtit të këtij viti. Shqipëria u përfaqësua nga Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë takim.”TAP është një mundësi shumë e rëndësishme, duke e konsideruar gazin natyror një burim strategjik dhe shumë të rëndësishëm energjie për të mbështetur zhvillimin e ardhshëm të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha ai.
Ndërkohë, vlen të theksohet se vetë Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, z.Ilham Aliyev shprehu dëshirën që Shqipëria të jetë jo vetëm një vend tranzit për projektin e gazsjellësit TAP, por edhe një vend përfitues i gazit natyror të Azerbajxhanit.
“Shpresojmë që edhe Shqipëria të jetë një vend përfitues i gazit natyror të Azerbajxhanit sapo të përfundojë rrjetin e saj të shpërndarjes së gazit”, tha Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit në fjalën e tij.
E megjithatë përpos kësaj ftese nga qeveria e Azerbajxhanit, Shqipëria ende nuk ka marrë hapa konkrete për tu bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit, tashmë jo vetem si vend tranzit por dhe si përfitues i drejtpërdrejtë të gazit.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.
/Argumentum.al