Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy iu drejtua sot parlamentit gjerman përmes një lidhje me video, ndërsa makineria ushtarake ruse po bombardon spitale, shkolla, shtëpi banimi e kisha. Presidenti Zelenskyy kujtoi rënien e Murit të Berlinit ndërsa i bëri thirrje Kancelarit Olaf Scholz të rrëzojë murin midis Evropës së lirë dhe asaj të robëruar.
Fjalimi i Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përpara parlamentit gjerman vjen një ditë pasi ai iu drejtua ligjvënësve amerikanë përmes një lidhje me video.
Zoti Zelenskyy e kritikoi Gjermaninë se kishte vënë ekonominë e saj përpara sigurisë së Ukrainës që gjendet nën sulmin rus.
Mijëra ukrainas janë vrarë gjatë tre javëve. Pushtuesit vranë 108 fëmijë, në mes të Evropës, në Ukrainë, në vitin 2022”.
Ai kritikoi mbështetjen e mëparshme të qeverisë gjermane për gazsjellësin Nord Stream 2, që synon të sjellë gaz natyror nga Rusia. Presidenti tha se Moska e kishte “përdorur” Evropën për të financuar luftën dhe se sanksionet nuk ishin të mjaftueshme për ta ndaluar atë.
“Po ju flas pas takimeve dhe bisedimeve të ndryshme, deklaratave dhe kërkesave për mbështetje, që janë të vonuara. Dhe sanksioneve që nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar këtë luftë. Pasi kemi parë se sa prej kompanive tuaja u larguan nga Rusia, vendi që ju ka përdor ju dhe shtete të tjera për të financuar luftën”.
Ukraina dhe vende të tjera e patën kundërshtuar gazsjellësin Nord Stream 2, aktualisht të pezulluar nga Berlini, duke paralajmëruar se rrezikonte sigurinë e ukrainasve dhe evropianëve.
“Ju jeni përsëri pas murit, jo ai i Berlinit, por në mes të Evropës, midis lirisë dhe robërisë, dhe ai (mur) po rritet me çdo bombë që godet Ukrainën, me çdo vendim të pamarrë për hir të paqes, po që mund të ndihmojë.”
Presidenti Zelenskyy gjithashtu vuri në dukje hezitimin e Gjermanisë kur ishte fjala për vendosjen e disa prej sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë nga frika se mund të dëmtonte ekonominë gjermane.
“Presidenti amerikan Ronald Reagan dikur pati thënë në Berlin ‘Rrëzoni këtë mur’. Dua t’ju them tani Kancelar Scholz, rrëzojeni këtë mur. Jepi Gjermanisë udhëheqjen që ju meritoni dhe që do t’i bëjë krenarë brezat e ardhshëm. Na ndihmoni, ndihmoni paqen, ndihmoni çdo ukrainas, ndaloni luftën, na ndihmoni ne ta ndalojmë.”
Presidenti ukrainas i bëri thirrje Gjermanisë që të mos lejojë që një mur i ri të ndajë Evropën, duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit të tij në NATO dhe Bashkimin Evropian.