Dr. Jorgji KOTE
E çuditshme se si është lënë në harresë 25 vjetori i trazirave të Marsit tragjik 1997 kur bashkë me piramidat famëkeqe ra dhe shteti fallco shqipar! E pajustifikueshme kjo harresë, pavarësisht ngjareve të tjera madhore brenda vendit dhe lufta në Ukrainë! Dihet tashmë se si ngjarjet e dhimbëshme të atij viti pushtuan faqet e para të shtypit dhe kronikat televizive në mbarë botën. Por, duke përdorur një shprehje të Helmut Kohl për Gjermaninë, dhe ne “ patëm fat në atë pafatësi”. Veç të tjerash, me dy figura emblematike, ish Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, i ndjeri Bashkim FINO dhe ish Kancelari austriak, i Dërguari Special i OSBE-së për krizën në Shqipëri, Franz Vranitzky.
Meqenëse gjatë periudhës Mars – Tetor 1997 isha Ndihmës i Kryeministrit për shtypin dhe falë përvojës 25 vjeçare bëra dhe punën e përkthyesit në të gjitha takimet me të huajt, më poshtë po jap disa mbresa, si nderim dhe homazh për rolin e tyre historik në atë periudhë të jashtëzakonshme.
35 vjeçari i mençur dhe energjik gjirokastrit, Bashkim Fino u caktua me konsensusin e 10 forcave politike Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar pas drejtimit me kompetencë të Bashkisë së Gjirokastrës. Me jetën e tij të shkurtër por dinjitoze dhe veprimtarinë aktive 20 vjeçare parlamentare dhe politike deri sa mbylli sytë një vit më parë ai u tregua i denjë për besimin që u dha, si një ndër zgjedhjet e pakta të duhura të klasës sonë politike në 30 vitet e fundit.
Kisha patur rastin ta njihja dhe më parë, por duke e parë shumë më nga afër gjatë atyre muajve vendimtarë dhe në frontin e jashtëm, të krijohej menjëherë bindja se kishim të bënim me një drejtues të ri në moshë dhe mbi të gjitha në mentalitet, socialist i përkushtuar, dhe i çliruar nga klishetë, dogmat dhe sloganet propagandistike dhe ideologjike.
Fino shquhej për seriozitetin, sjelljen dhe sidomos gjuhën dhe kulturën institucionale që u bënte shumë përshtypje bashkëbiseduesve të huaj.
Ai të bënte shpejt për vehte me lehtësinë dhe sinqeritetin në komunikim, hera herës me doza të lehta humori, por jo në dëm të seriozitetit në punë. Ishte si vetë mbiemri që mbante, fin dhe elokuent në çdo komunikim. I tregoi këto cilësi sublime gjatë 6 muajve të qeverisjes dhe në takimet e përditshme me mbi 30 delegacione që “ zbarkuan” ato muaj në Tiranë nga të gjitha organizatat më të mëdha ndërkombëtare dhe asambletë e tyre parlamennare, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë vendeve. Me të gjithë ndihej i barabartë, i thjeshtë, dinjitoz, konçiz, i qartë, me një kujtesë të lavdërueshme të emrave të tyre dhe ndjekës operativ i detyrave. Imazhi dhe mesazhet e tij mirëpriteshin kudo në kancelaritë perendimore dhe krijonin natyrshëm besim te partnerët dhe bashkëbiseduesit e lartë ndërkombëtarë.
Kjo shihej dhe më mirë në vizitat e tij jashtë vendit. Më 24 – 25 Mars, ai ishte në Romë dhe Vatikan. Takimi me Kryeministrin Prodi, ministrin e Jashtëm Dini e të tjerë ishte i hapur, miqësor dhe me mbështetje të plotë dhe konsiderata të larta për të. Tejet emocionuese ishte fjala që Kryeministri Fino mbajti më 25 Mars në sallën ku plot 40 vite më parë ishte nënshkruar Traktati historik i Romës për krijimin e BE-së me praninë e ministrave të jashtëm të 15 vendeve antare. Në një farë mënyrë, ngjarjet tragjike në Shqipëri e zymtësuan disi atmosferën e këtij jubileu; por nga ana tjetër, duke parë, dëgjuar dhe biseduar shkurt me Finon tek ta duke se po rilindte shpresa për ditë më të mira. Kjo u bë dhe më e sigurt kur mori bekimin nga Papa Gjon Pali II në audiencën me të në Selinë e Shenjtë.
Këto cilësi i shfaqi dhe më bindshëm në vizitën zyrtare tre ditore në Uashington në muajin Maj, së bashku me ministrat Arben Malaj, Spartak Ngjela dhe Arjan Starova. Atje u prit në Bankën Botërore dhe FMN nga drejtuesit e tyre më të lartë, me garanci për mbështetje financiare dhe projekte për Shqipërinë.
Padyshim që takimet më të rëndësishme i pati në Departamentin e Shtetit me praninë e zv.sekretarëve dhe ndihmësve të tyre dhe në fund me Sekretaren e Shtetit, M. Albright, duke lënë mbresa nga më të mirat. Pas përfundimit të takimit zyrtar mes dy delegacioneve, Albright e ftoi Finon në zyrën e saj të punës, ku i shprehu hapur mbështetjen, duke i premtuar se celulari i saj do të ishte i hapur për të 24/24 dhe kështu ndodhi.
Natyrisht kur flet për atë periudhë nuk mund të mos përmendësh emblemën tjetër të Marsit 1997, Franz Vranitzky. Në fakt, caktimi i tij ishte fati ose “bekimi” i dytë për vendin tonë në një nga periudhat etij më të vështira.
Vranitkzy vinte nga Austria, historikisht e interesuar për Ballkanin dhe vendin tonë, nyje ndërkombëtare politike, ekonomike dhe diplomatike. Mjaft popullor qysh në rininë e tij si kapiteni i ekipit olimpik të basketbollit dhe pastaj bankier nga më të shquarit, “ mjeshtëri” që e vazhdon dhe sot në moshën 85 vjeçare. Ishte lideri fitimtar i Partisë së famshme social-demokrate austriake, me lidhje të ngushta me homologët e saj në Shqipëri. Për 12 vite rresht Kancelar i koalicionit të madh me konservatorët e djathtë, aleatë të fortë të PD-së. Vranitzky kishte dhënë dorëheqjen në Janar 1997 si Kancelar, edhe pse ishte në kulmin e suksesit. Me integritet absolut, pa asnjë aferë, se për skandale nuk bëhet fjalë dhe me një reputacion absolut ndërkombëtar.
Dallohej kudo dhe menjëherë për staturën, urtësinë dhe sjelljen kalorsiake, me natyrë të qetë, i moderuar, fliste me butësi dhe finesë karakeristike, dëgjues i papërsëritshëm, me qetësi olimpike, analizues i thellë i situatave dhe reagues i menjëhershëm, pa kurfarë paniku, fliste shtruar me zërin e tij të ulët dhe me anglishte të përkyer.
Gjatë 8 muajve si i Dërguari Special i OSBE-së erdhi shumë herë në Tiranë; aty zhvillonte 2 – 3 takime me Finon, me Presidentin Berisha, me liderët e partive të koalicionit, jepte në çdo vizitë konferenca shtypi në Rogner, nën një interesim të jashtëzakonshëm, veç intervistave për TVSH-në, etj. E pashlyeshme nga kujtesa thënia e tij “ këtu te ju nuk merret vesh kush është ëngjëlli dhe kush djalli” Nuk e di me ish Presidentin Berisha, se nuk isha i pranishëm, por në të gjitha mbi 30 takimet e tij në Tiranë nuk e dëgjova asnjëherë të fliste me zë të lartë, por gjithnjë me urtësinë e tij dhe mençurinë e tij karakteristike. Megjithë tensionin dhe ngarkesën e jashtëzakonshme, nuk e pashë asnjëherë të lodhur, të mërzitur apo nervoz.
Gjithashtu Vraniztky kishte një horizont të gjerë kulturor. Më bënte përshtypje se ndërmjet pauzave fare të shkurtra midis takimeve, veç fragmenteve ndeshjesh basketbolli që shihte në TV aty në Rogner, me shumë mirësi dhe kurreshtje më pyeste dhe dëgjonte me shumë vëmendje shpjegimet fare të shkurtëra mbi gjuhën, kulturën dhe traditat e vendit tonë. Mrekullohej që aktori ynë me famë botërore, Aleksandër Moisiu kishte luajtur në “Volks Theatër” në Vjenë, për Karl Gegën dhe për shumë figura te tjera të ndritura të kulturës sonë që kishin studiuar e punuar në Austri.
Ky 25 Vjetor i Marsit 1997 është momenti për t’i shprehur homazhe kujtimit të ndritur të Bashkim Finos dhe nderim Franz Vranitzky, Kancelarit emblematik austriak, mikut të popullit tonë në kohë të vështira, me urimet më të mira për jetë të gjatë.
/Argumentum.al