Opozita e bashkuar shqiptare zhvilloi sot protestën e saj të radhës para mjediseve të Kryeministrisë.
Rreth 1600 efektivë policie janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar.
Por krahas tyre, në mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.
Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve.
Ashtu si në protestën e 16 Shkurtit, kordoni i parë që u përball me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa është minimizuar prezenca e efektiveve femra në këtë radhë.
Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë.
Gjithashtu, oficerë të antiterrorit kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.
Risi nga protesta e 16 Shkurtit, është një rrethim metalik që i është bërë perimetrit të kryeministrisë, ndërsa është hequr edhe skela para hyrjes së godinës, e cila u përdor nga protestuesit për të goditur xhamat e derës herën e kaluar.
Agravohet protesta
Teksa ndodhen para Kuvendit, protestuesit kanë tentuar të hyjnë me dhunë në sallën e seancave plenare. Ata kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të perimetrit të sigurisë.
Pas përplasjes me forcat e rendit, një efektiv i policisë ka mbetur i lënduar.
Ndërkohë që policia është detyruar të përdorin gazin lotsjellës, çka ka bërë që protestuesit të tërhiqen.
Policia është gjetur e papërgatitur për zhvendosjen e protestuesve drejt Parlamentit, pasi protesta ishte njoftuar për t’u mbajtur para Kryeministrisë.