Ambasadori i Bashkimit Europain në Tiranë, Luigi Soreca nuk do të shërbejë më si ambasador duke filluar nga data 1 prill. Diplomati largohet nga Tirana për të marrë një pozicion të ri të rëndësishëm në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm si i Dërguar i Posaçëm.
Tirana zyrtare në prag të largimit e tij, kanë uruar z.Soreca për pozicionin e ri, njëkohësisht duke falënderuar për qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë.
Kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një foto me ambasadorin në largim nga Shqipëria, Luigi Soreca, duke e falënderuar për punën që ka bërë në vendin tonë.
Teksa i uron suksese në detyrën e re që do të marrë, Rama thotë se Shqipëria do jetë gjithmonë shtëpia e tij.
“Faleminderit i dashur Luigi për punën tënde të palodhur në Shqipëri.
Thank you dear EU ambassador for the great respect towards Albania.
Grazie di tutto caro amico napoletano Suksese në detyrën e re and do never forget, l’Albania sara sempre casa tua”
Presidenti Meta
Kënaqësi të takohesha me Ambasadorin Luigi Soreca, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si Ambasador i Delegacionit të BE në Tiranë.
Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend, që aspiron anëtarësimin në BE.
Çelja e negocatiave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE.
Në kontekstin e zhvillimeve të fundit, evidentova rëndësinë që ka linjëzimi i plotë i politikës së jashtme dhe sigurisë së Shqipërisë me atë të BE, përfshirë me zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ministrja
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.
Xhaçka e falënderoi ambasadorin Soreca për mbështetjen e dhënë për integrimin e Shqipërisë.
“Faleminderit i dashur Luigi për gjithçka që ke bërë për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por mbi të gjitha faleminderit që keni qenë një mik i mirë i Shqipërisë. Puna juaj e palodhur pas tërmetit dhe gjatë pandemisë do të kujtohet me mirënjohje të pamasë. Të uroj më të mirat në pozicionin tënd të ri”, tha Xhaçka.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër falënderimi ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
“Ju shpreh mirënjohjen për kontributin tuaj të spikatur në fuqizimin e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, për nxitjen e mbështetjen e rrugëtimit evropian si edhe për pasqyrimin e arritjeve të Shqipërisë në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe institucionet e tjera të Bashkimit. Bilanci i bashkëpunimit tuaj me Kuvendin e Shqipërisë, qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit është për t’u admiruar”, theksoi Nikolla.
Kryeparlamentarja Nikolla shprehet se “ndihma e Bashkimit Evropian për përballimin e pasojave të tërmetit dhe rindërtimin ishte e pakursyer dhe ndihma e për Shqipërinë ishte bujare dhe e vlerësuar edhe gjatë pandemisë. Gjatë shërbimit Tuaj, Tiranën e vizituan mjaft personalitete të larta të Bashkimit Evropian, përfshirë vizitat e Presidentes së Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen, Presidentit të Këshillit Europian, z. Charles Michel, Presidentit të ndjerë të Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli etj.”.
“Në vijim të rekomandimeve pozitive të Komisionit Evropian, më 25 mars 2020 Këshilli Evropian vendosi çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë viteve të fundit, Bashkimi Evropian ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe ka bashkëpunuar me Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit për avancimin dhe thellimin e reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe reformave të tjera, të cilat i kanë shërbyer konsolidimit të demokracisë, fuqizimit të institucioneve dhe ndarjes së pushteteve. Roli i Shqipërisë në kontekstin rajonal e më gjerë është rritur”, nënvizoi Nikolla.
/Argumentum.al