Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim reagoi sot pas raportit që kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame dha dje në lidhje me situatën në Kadastrën e Durrësit.
Kim u shpreh se, “presim marrjen e hapave konkretë për të vendosur përpara përgjegjësisë fajtorët, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion”.
Ambasadorja shtoi se, kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri, hapa të tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA.
“Mirëpresim raportin objektiv të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim marrjen e hapave konkretë për të vendosur përpara përgjegjësisë fajtorët, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion”, u shpreh ambasadorja Kim.
“Kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri, hapa të tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE”, tha Kim.