Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot një lajm të bukur zgjatjen në 10 vjet të vlefshmërisë së vizës amerikane për qytetarët shqiptarë.
“Bash në 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë rritet me 10 vjet vlefshmëria e vizës amerikane të qytetarëve shqiptarë, si shprehje kuptimplotë e rritjes së shumëfishtë të bashkëpunimit pas firmosjes së Deklaratës së Partneritetit Strategjik gjatë mandatit tonë të parë qeverisës, si edhe rritjes së vazhdueshme të besimit e respektit ndërkombëtar tek Shqipëria, falë reformave shtetndërtuese e rezultateve domethënëse në një rrugë ndryshimi që vazhdon”, tha Kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë ndau foton e aplikantes së parë që mori sot vizën e parë amerikane me vlefshmëri 10 vjet.
1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10-vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.