Prishtina zyrtare fajëson Serbinë se pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet serbe lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj Serbisë për shkak të “pasivizimit të adresave nga Serbia të shqiptarëve në Luginën e Preshëvës”, e cila pasoi me pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Serbi. Presidentja Osmani tha se “komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”. “Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit [v.j. të adresave të banimit] me mjete administrative”, tha Osmani në 1- vjetorin e punës së saj si presidente e Kosovës.
Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, më herët kanë thënë se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave.
Kurti: Padrejtësi e madhe
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet në të njëtën linjë, duke thënë se “shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu është bërë një padrejtësi e madhe dhe rezultati jo i mirë në zgjedhje mund të jetë ndikuar nga pasivizimi i mbi 6 mijë adresave”. “Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc iu është bërë një padrejtësi e madhe meqenëse rreth 6 mijë vetave atje u janë pasivizuar adresat duke i diskriminuar mbi baza kombëtare. Po ndodh një lloj spastrimi etnik, administrativ e burokratik i heshtur e i ftohtë e megjithatë me pasoja shumë të rënda, dhe unë besoj që rezultati jo i kënaqshëm i këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vjen edhe për shkak të këtij spastrimi të heshtur që po iu bëhet atyre atje me metoda joluftarake kësaj radhe, por administrative e burokratike”, u shpreh Kurti për mediet lokale.
Shaip Kamberi i vetmi që hyn në parlamentin serb
Politikani shqiptar në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, që me gjasë është i vetmi politikan shqiptar që fitoi një vend në parlamentin e Serbisë kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komuna këto në jug të Serbisë që banohen me shumicë shqiptare. Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, tha se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve. Sipas tij, shkaku qëndron tek pasivizimi i adresave të shqiptarëve.
“Shumë shqiptarëve u është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira”, shkroi Kamberi në Facebook. Prandaj sipas tij, “zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës”.
Von Cramon: Raportime, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi
Viola von Cramon
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon në reagimin e saj për zgjedhjet në Serbi, përmendi çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Zgjedhjet Serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta”, shkroi ajo ne Twitter. Sipas Cramon, pas raportimeve, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, ajo tha se “raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së”.
Selakoviq: von Cramon është mike e shqiptarëve
Beogradi zyrtar reagoi menjëherë pas deklaratës së raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon. Ministri jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, përmes një njoftimi për medie tha, se “Von Cramon është mike e shqiptarëve dhe s’është punë e saj mbështetja e përmbysjes së pushtetit në Serbi”. Ai u shpreh, se “nuk është puna e eurodeputetëve të mbështesin përmbysjen e qeverisë së një shteti sovran dhe të kufizojnë të drejtën e qytetarëve serbë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në procesin demokratik.” Citimin e ka bërë agjencia serbe Tanjug.
Bujanovc
Shpresa për intensifikim të procesit të dialogut
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi përfunduan me 03.04. konfirmuan fitoren e presidentit aktual serb Aleksandër Vuҫiq dhe partisë së tij. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, beson se mund të ketë intensifikim të procesit të dialogut, tani që zgjedhjet në Serbi përfunduan. Ajo theksoi se nuk mund të garantojë për gatishmërinë e Serbisë për këtë dialog, por tha se këtë mund ta bëjë për palën e Kosovës. “Tani që nuk do të ketë zgjedhje në të dyja shtetet, mund të ketë intensifikim të procesit besoj. Po ashtu edhe interesim më të madh edhe nga partnerët tanë që kjo të shtyhet para”, tha presidentja Osmani.
I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më herët se për takimin e tretë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë duhet atmosferë konstruktive dhe paqësore. Sipas tij, një takim Kurti-Vuçiq mund të ndodhë vetëm kur dy liderët të mund të pajtohen për diçka. Takimi i fundit i nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret. /DW