Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se kryeparlamentari Xhaferi ka potencuar marrëdhëniet e deritanishme të shkëlqyera bilaterale, duke konstatuar se dy vendet i bashkon miqësia dhe bashkëpunimi i ndërsjellë dhe i sinqertë me tendencë që në periudhën në vijim këto akoma më shumë të përforcohen në suazat e integrimeve në BE.
“Kryetari Xhaferi theksoi se pret që në qershor të këtij viti të ketë edhe njëfarë zgjidhjeje pozitive për aspiratat e përbashkëta të dy vendeve për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Dy bashkëbiseduesit gjithashtu kanë dënuar agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën.
“Së bashku konstatuan me mysafirin se të dy vendet e ndjekin politikën e përbashkët dhe të harmonizuar të NATO-s dhe BE-së dhe e dënojnë agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën, me apel të përbashkët për qetësimin e situatës dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake”, thuhet në njoftim.
Ministri Manja shprehu bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në vitet në vijim.
Dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi politik intensiv do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me zgjerim në çdo fushë me interes të ndërsjellë.
Ministri Manja po qëndron në Shkup në kuadër të konferencës me fokus në luftën kundër korrupsionit, në të cilën marrin pjesë ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.