“Në Shtëpinë e Zotit nuk ka nga ata që thonë unë jam më i mirë dhe ky është më pak i mirë se unë. Ju thotë Jezusi jeni vëllezër të gjithë, e keni vetëm një mësues, Krishtin, e një Hyjin Qiellor”, kështu u shpreh që në krye të herës Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj gjatë homelisë në meshën e së dielës në Katedralen e Shën Palit me rastin e ditës së Pashkëve
“Të zhveshur prej këtyre ndjenjave e kategorive që shpesh herë na hedhin në zemër, mendje e në shpirt rrjetet sociale e mediat e të veshur me ndjenjat e Jezusit, i cili u lan këmbët të gjithë dishepujve pa dallim, atëherë vendosemi dhe ne në mendësinë e Krishtit të ringjallur në këtë Pashkë, për të bërë Pashkë”, thekson Ai.
Ky mesazh i Imzot Dodaj ishte një këmbanë e fortë për të gjithë të pranishmit, veçanërisht për politikanët që këtë të diele duket sikur me praninë e tyre e “politizuan” ditën e Pashkëve.
Pashkët katolike, kanë bërë bashkë shumë besimtarë, ndër ta dhe politikanë e ambasadorë të akredituar ne vendin tonë. Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka marrë pjesë në meshën e të dielës në Katedralen e Shën Palit me rastin e festës së Pashkëve katolike. Yuri Kim është fotografuar në mes të besimtarëve të tjerë teksa lutet në momentin e mbajtjes së meshës.
Ndërsa edhe Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri u pa në oborrin e Katedrales, ndërsa ishte i pranishëm për të uruar kreun e kishës Katolike për këtë festë me kaq rëndësi për besimtaret e krishterë.
Në sy ka rënë edhe prania e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. Ndërsa në rreshtat e fundit është fotografuar edhe ish-kreu i Partisë Social Demokrate Tom Doshi.
Doshi është një ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë që është shpallur ‘Non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye ai ka qenë shpresh subjekt i deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila ka kërkuar që ai të mos përfshihej në politikën shqiptare.
Të gjithë kundër njëri-tjetrit politikisht por si duket i ka bashkuar dita e ringjalljes së Krishtit që simbolizon mposhtjen e të keqes nga e mira, fitoren e jetës mbi vdekjen dhe triumfin e dritës mbi errësirën.
Ti je kalimtar si të gjithë të tjerët, por për jetën e pasosur je për të dhënë dritë, vlera, pasuri, pajtim e paqe, të mos e pretendojmë këtë jetë, mos pretendo pajtim nga të tjerët, por ji ti pajtimi që pretendon. Mos kërko falje nga të tjerët, por jepe ti faljen që pretendon e mirëkuptimin dhe do të shohësh që bota që të rrethon është krejt një perspektivë tjetër”, tha Imzot Arjan Dodaj.
Këto fjalë që thonë shumë, duket se i dedikohen pikërisht politikanëve tanë por dhe Ambasadorëve në vendin tonë. ” Ti je kalimtar… Por a i kanë degjuar vallë ata?!
/Argumentum.al