Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një konferencë për mediet sot në Tiranë, u shprehën për procesin dhe rrugën që do të ndiqet për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
“Të martën nisim hapin e parë të konsultimit me grupet parlamentare dhe PS do të udhëheq këtë proces. Duhet të kemi një proces konsultimi, dialogu, me opozitën në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim që të identifikojmë se cilat do të ishin kriteret kryesore që duhet të plotësojë Presidenti në këtë mandat të ri”, tha Balla.
Balla theksoi se “për t’i dhënë Shqipërisë një president të denjë, do të kemi axhendë intensive diskutimesh deri më datë 29 prill, kur mblidhet konferenca e kryetarëve, dhe ne gjithashtu me propozimin e dhënë kryetares së Kuvendit, kemi kërkuar që seanca e parë të jetë një seancë e posaçme që do të zhvillohet më datë 4 maj 2022”.
“4 maji është data për të pasur raundin e parë të zgjedhjes se Presidenti në Kuvend”, u shpreh Balla.
Nga ana e saj, Spiropali tha se për procesin e përzgjedhjes të Presidentit të ri do të dëgjohen edhe propozimet e qytetarëve.
“Ne kemi si qëllim veçse t’i japim Republikës një president normal, të garantojmë një standard për parlamentarë për përzgjedhjen e presidentit. Jo se ka munguar dëshira, por kushtet kanë qenë të tilla që për shumë kohë procesi ka ngjarë me takime në zyra të vogla, në model të Këshillimit Kombëtar. Këto hapa duhet ndjekur, për t’i dhënë kohën e duhur që produkti dhe procesi të jenë të panjohur”, theksoi Spiropali.
Balla theksoi se, për herë të parë do të kemi një procedurë të hapur gjithë përfshirëse.
“Pasi të kemi përcaktuar identitetin e Presidentit të ri edhe me opozitën edhe me shoqërinë civile do t’i propozojmë këtë kandidaturë për votim Kuvendit”, theksoi ai.
Gjatë fjalës së tij Balla theksoi se, “po kërkojmë dialog me grupet parlamentare në Parlamentin e Shqipërisë. Ka një traditë të konsoliduar parlamentare. Besoj që të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës do e respektonin traditën. Unë fola për dialog. PS i ka numrat për të zgjedhur Presidentin e Republikës në raundin e 4-ët apo 5-ë. Ne duam që zgjedhja e Presidentit të jetë standard, ne duam që procesi i gjerë konsultimi mes vetes, me grupet parlamentare të opozitës, me publikun. Ajo që na duhet është të kemi një President Republike që të jetë një kryetar shteti që i ka hije Shqipërisë, që në qershor do të fillojë bisedimet për anëtarësinë. BE e ka kuptuar që duhet një përshpejtim të procesit”.
“Nuk jemi për të bërë lista. Ne duam të identifikojmë se çfarë duhet të përfaqësojë dhe si të jetë Presidenti i ri i opozitës. Opozita mund të vijë me propozimin që të jetë një përfaqësues i tyre. Do të diskutojmë me ta se përse një President duhet të jetë mbi palët. Nuk ka kushte në këtë dialog me opozitën. Duhet të ulemi pa parakushte. Duhet një President që t’i ketë hije Shqipërisë. Në këtë aspekt, mos prisni që pas çdo procesi konsultimesh të themi kush janë emrat. Nuk shkon, duhet të kemi një proces dhe besojmë që Shqipëria ka vetëdijen për t’i dhënë Shqipërisë një president konsensual. Duhet pak durim, por do të arrimë të shkojmë ku duhet”, tha Balla.
“Do të ftojmë grupet parlamentare të opozitës dhe duke qenë se koha është e shkurtër, do t’u propozojmë një takim të tre kryetarëve të grupeve, së pari zotit Alibeaj si kryetar i grupit të PD, zonjës Mesila Doda dhe zotin Fatmir Mediu në një takim paraprak këtu në zyrat e Kuvendit për të vendosur parimet kryesore të një dialogu konstruktiv mes 4 grupeve parlamentare”, tha Balla.
Nga ana tjetër, ministrja Elisa Spiropali tregoi se do të grumbullojnë sa më shumë propozime, ndërsa në fund do të vendoset për atë që mendohet se do e drejtojë më mirë këtë detyrë.
“Nuk do të bëjmë sondazhe apo anketime, nuk do të nxjerrim preferencat. Nuk është ky roli ynë dhe nuk i shërben procesit. Ka një interes të shtuar, një shpërthim interesi për këtë proces që tregon se ka një përshije të publikut për t’i dhënë Presidencës një president ndryshe. Do marrim parasysh të gjitha ndjeshmëritë dhe më të rëndësishëm se emrat janë identitet. Cilësitë që duhen, distanca nga përfshirja në politikë, por jo përjashtimisht. Asnjë nga këto nuk është e përjashtuar. Në fund do të dalim me profilin, emrat. Në fund vendos Kuvendi. Do e bëjmë më së miri këtë detyrë duke marrë sa më shumë propozime dhe inpute nga jashtë”, u shpreh Spiropali.