Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Bruksel nga Fondacioni gjerman “Marshall”, për të celebruar tre raundet e zgjerimit te Aleancës së Atlantikut pas Luftës së Ftohtë, duke ritheksuar rëndësinë e lidhjes transatlantike për sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin evropian me zgjerimet e viteve 1999, 2004 dhe 2009, ky i fundit, viti që shënoi edhe anëtarësimin e vendit tonë në Aleancë.
Nëpërmjet këtij aktiviteti u vu në dukje rëndësia e madhe që ka për Aleancën zgjerimi me vendet e ish bllokut lindor, si dhe angazhimi e kontributi i çmuar i këtyre vendeve në adresimin e sfidave të sigurisë me të cilat përballet sot NATO.
10 vjet pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria renditet ndër vendet aktive dhe me një rol të vlerësuar si në aspektin e kontributit ushtarak për paqen dhe sigurinë në sfidat e krahut Lindor dhe Jugor të Aleancës, ashtu edhe për ecurinë e përmbushjes së angazhimeve të marra për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes, në linjë me objektivat e Aleancës.
Të ftuar specialë në ceremoninë e sotme ishin përfaqësues të vendeve aleate si Çekia, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria dhe Kroacia, pjesë e zgjerimit të NATO-s në dekadat 1999 – 2019.