Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington, që po zhvillon punimet në datat 21-24 prill.
Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.
Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare.
Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.
Më në veçanti, përfaqësuesit e FMN-së mbështetën vendimin e Bankës së Shqipërisë për rishikimin e qëndrimit të politikës monetare. Paralelisht me të, ata nënvizuan nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të presioneve inflacioniste dhe, në rast se do të jetë e nevojshme, reagimin e mëtejshëm të politikës monetare për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Sipas tyre, Shqipëria ka treguar të jetë një histori suksesi në përballimin e krizave dhe vendi është transformuar pozitivisht në mënyrë të rëndësishme gjatë viteve.
Në kuadër të sfidave aktuale, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se koordinimi midis politikës fiskale dhe asaj monetare është i nevojshëm për të frenuar pasojat ekonomike dhe financiare të luftës në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme të pandemisë.
Gjatë takimeve, ata gjithashtu inkurajuan çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një faktor kyç në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin e vendit.
Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike të ofruar ndaj Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sistemit të pagesave, statistikat, mbikëqyrjes bankare dhe përfshirjes financiare.
Së fundmi, bashkëbiseduesit dakordësuan për vazhdimësinë e projekteve të ndërmarra dhe asistencës teknike të nevojshme për mbylljen me sukses të tyre dhe zhvillimit të marrëdhënieve nëpërmjet projekteve të reja.
Guvernatori gjithashtu mori pjesë në një takim me dyer të mbyllura me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) me qëllim për të diskutuar mbi perspektivën dhe sfidat e politikës për Evropën. Kjo është një kohë shumë e vështirë për Evropën, për shkak të krizave dhe politikëbërja po bëhet më komplekse.
Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.
Në mbledhjet e FMN dhe BB në Uashington marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe Ministrat e Financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Shqipëria mori pjesë në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë, me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.
Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se “ekonomia globale vijon të rimëkëmbet, por shpejtësia e kësaj rimëkëmbjeje është ngadalësuar për shkak të shfaqjes së varianteve të reja të COVID-19, ndërsa sot po përballet me një pengesë të madhe që vjen si rezultat i luftës në Ukrainë dhe i pasojave të saj komplekse, të cilat amplifikojnë sfidat ekzistuese”.
“Rritja e fortë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ka rritur presionet inflacioniste, ndërkohë që ndërprerjet e ofertës janë intensifikuar më tej dhe tregjet financiare e flukset e kapitalit po shfaqin luhatshmëri të shtuar. Përkundrejt pasigurive të paprecedentë, normave në rritje të interesit dhe borxhit të lartë global në nivele rekord, transmetimi i pasojave përmes tregjeve të mallrave, tregtisë dhe kanaleve financiarë mund të përkeqësojë dobësitë ekzistuese. Rreziqet e mundshme lidhur me vështirësitë për shërbimin e borxhit, së bashku me fluksin e refugjatëve, pasigurisë ushqimore në rritje dhe pabarazinë mund të shtojnë presionet sociale. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike, së bashku me sfidat e tjera të përbashkëta – të tilla si siguria e energjisë, përballueshmëria dhe qëndrueshmëria – po bëhen gjithnjë e më shumë serioze duke kërkuar vëmendje të menjëhershme”, thuhet në deklaratën e FMN-së./ata