“Paqja nuk duhet marrë si e mirëqenë, por duhet të angazhohemi çdo ditë dhe në çdo kohë për mbrojtjen e saj”, tha Presidenti Meta
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u nderua në Romë me Çmimin Ndërkombëtar “Bonifacio VIII për një Kulturë të Paqes” nga akademia me të njëjtin emër papnor në Anagni, Romë.
Kreu i Shtetit u vlerësua gjithashtu me Titullin e lartë “Senator Akademik Nderi” me motivacionin: “Për angazhimin e vazhdueshëm dhe për kontributin faktik, kulturor e social, për realizimin e idealeve dhe qëllimeve, në shkëmbimin e vlerave të paqes”
Në sallën e Bashkisë së Anagni, në prani të Zëvendëspresidentit të Senatit italian, Roberto Calderoli; Prefektit të Doktrinës së Besimit dhe përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Gerhard Ludëig Műller; Presidentit të Komitetit Shkencor, Imzot Enrico dal Covolo; Kryebashkiakut Daniele Natalia; Presidentit të Akademisë Bonificiane, Dr. Sante de Angelis, të Ambasadorit të Ukrainës në Selinë e Shenjtë, Sh. T. Z. Andrii Yurash, si dhe autoriteteve të larta civile dhe fetare, Kreu i Shtetit shqiptar në fjalën e Tij të mirënjohjes, u shpreh:
“Shprehjen e falenderimit të dhe mirënjohjes për nderin e marrjes së Çmimit Ndërkombëtar Bonifacio VIII, me motivacionin ‘Për një Kulturë të Paqes’, dëshiroj ta nis me Shenjtoren Nënë Tereza, e cila me jetën dhe shërbesën e saj, u bë simboli universal i përkushtimit ndaj kulturës së paqes, anembanë botës.
Shembulli i saj dhe mesazhet plot dashuri dhe në promovim të paqes, vazhdojnë sot e përgjithmonë, të prekin çdo raport njerëzor dhe aspekt të jetës.
Prekin aspektin personal, me thënien e saj ‘Paqja nis me një buzëqeshje’, atë familjar me ‘Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi e duaje familjen tënde,’ si dhe atë botërore, kur tha se: ‘Ne nuk na duhen armë dhe bomba për të sjellë paqen në botë, por na duhet dashuri dhe dhembshuri.’
Këto të vërteta mbeten të patjetërsueshme edhe sot:
Kur individi po bëhet gjithnjë e më i izoluar për shkak të sfidave të kohës dhe pengesave të mëdha ndaj ndërveprimit njerëzor;
Kur institucioni i familjes priret që të tjetërsohet;
Kur paqja në shumë vende të botës mbetet ende një ëndërr, aspiratë dhe utopi;
Kur e gjithë bota rrezikohet prej dhunës ushtarake dhe ambicieve pushtuese, si në rastin tragjik të ditëve të sotme të agresionit ndaj popullit paqedashës të Ukrainës, ndaj të cilët përfitoj të shpreh solidaritetin tonë më të vendosur. Ndërkohë që dashuria, dhembshuria, mirëkuptimi dhe toleranca duhet të mbeten gjithmonë shtyllat, e një paqeje të qëndrueshme midis popujve dhe kombeve.
Në themelin e paqes qëndron liria, jo vetëm e jona, por liria e të gjithë.
Ne shqiptarët jemi krenar, që kemi një figurë të jashtëzakonshme, që ka kontribuar jo vetëm për lirinë e vendit të tij, por që ka mbrojtur edhe lirinë e Europës, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
‘Athleta Christi’ ishte titulli që Selia e Shenjtë i dha kësaj figure të madhe shqiptare dhe europiane, të cilin Papa Françesku e vlerësoi si “heroi dhe mbrojtësi guximtar i vlerave shpirtërore dhe krishterimit.”
Vlerësimi me këtë çmim sot nga ju, më inkurajon, që të vazhdoj me përkushtim për të punuar, për lirinë, demokracinë, drejtësinë, paqen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Unë e nisa rrugëtimin tim kur isha student, duke u bërë pjesë dhe një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990-të, që rrëzoi regjimin komunist, i cili izoloi Shqipërinë për gjysmë shekulli nga pjesa tjetër e botës, dhe për fat te keq i shpalli armiqësi besimit dhe Zotit, censuroi fjalën dhe mendimin e lirë, dhe themeloi një paqe të rreme, nënshtrimi dhe jo të drejtash e lirish, që nuk ishte gjë tjetër veçse burgosje e një kombi.
Që atëherë, nuk kam reshtur së ngrituri zërin për ata që nuk dëgjohen, të punoj dhe të kontribuoj me të gjitha aftësitë e mia, për konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës, progresin e popullit tonë, për arritjen e një paqeje sa më të qëndrueshme sociale dhe kombëtare, por edhe rajonale, si dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mënyrë të veçantë sot, dua të falënderoj Italinë dhe popullin mik italian, dhe njëkohësisht edhe Selinë e Shenjtë, për të gjithë mbështetjen e vazhdueshëm, që i kanë dhënë popullit shqiptar në rrugën e lirisë, të zhvillimit dhe të ardhmes europiane.
Dëshiroj të kujtojë burimin e paqes, në jetën tonë, e cila erdhi dymijë vjet më parë me fjalët e Jezuit: ‘Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time….”
Dhe kjo paqe është për çdo individ, çdo shoqëri, dhe çdo komb, e cila mund të arrihet përmes besimit, shpresës dhe dashurisë, përkushtimit të gjithsecilit, për të punuar për mirëqenien e njerëzve të thjeshtë, për konsolidimin e demokracisë, për një politikë më frytdhënëse, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e vlerave më të larta njerëzore dhe familjare.
Dhe në vullnetin e Tij është paqja jonë:
Ai det në të cilin lëviz gjithësia
Qeniet që krijon dhe natyra që Ai bën.
(E’n la Sua volontade è nostra pace:
ell’è quel mare al qual tutto si move
ciò ch’ella cria o che natura face,).
shkroi Dante Alighieri i madh te ‘Parajsa’ në Komedinë Hyjnore, për të ilustruar, se si paqja lidh qiellin dhe tokën, dhe të gjitha qeniet dhe kombet në të.
Ndaj, ne duhet të punojmë e ta mbrojmë këtë thesar të çmuar, duke qëndruar vigjilentë për ruajtjen e paqes, pasi ajo nuk duhet marrë si e mirëqenë, por duhet të angazhohemi çdo ditë e në çdo kohë.
Kjo na jep forcë të përballojmë edhe realitetin e pas Covid-19, dhe të gjitha sfidat e mijëvjeçarit të ri.
Duke ju uruar paqe në jetën tuaj, në vendet tona, në mënyrë të veçantë në Ukrainë dhe në çdo vend tjetër të botës, ku ajo është e privuar dhe kërcënuar, ju falënderoj sërish për këtë vlerësim, i cili është një nxitje më shumë për të vazhduar punën dhe misionin tim, në shërbim të kulturës për paqen dhe lirinë!”
Për këtë çmim i jam mirënjohës jo vetëm Akademisë tuaj që i kushton vëmendje vendit tim, por në mënyrë të veçantë ja kushtoj të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, dhe mbi të gjitha për harmonin e jashtëzakonshme fetare, që vendi im gëzon dhe rrezaton kudo. Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja kryesore, për Papa Françeskun, i cili zgjodhi Shqipërinë për të bërë vizitën e tij të parë në Europë.
Edhe njëherë le të lutemi për paqen në Ukrainë!