Opozita do të dalë sërish në protestë këtë të enjte, para Parlamentit, ndërkohë që brenda në sallë do të zhvillohet seanca plenare e radhës.
Vendimi është marrë mbrëmjen e kaluar, pas konsultimit të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha me kryetarët e degëve të partisë. Protesta do të ketë simbolika për të treguar se Parlamenti është i zgjedhur nga krimi dhe jo nga populli.
Ka qenë pikërisht ora 23 e natës, kur në telefonat e demokratëve mbërrin mesazhi i shkurtër, por i qartë:
“Të nderuar! Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve u vendos që protesta e radhës të jetë të enjten, në datën 21 mars 2019, ora 9:30, përpara Parlamentit”.
Protestat e organizuara në sheshin para godinës së Kuvendit kanë qenë edhe më problematiket, ku nuk kanë munguar edhe konfrontimet e protestuesve me forcat e policisë, që kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Edhe të shtunën e kaluar, protestuesit pasi u mblodhën para Kryeministrisë gjatë marshimit devijuan për te Parlamenti ku policia hodhi sërish gaz lotsjellës ndaj tyre.