Prej mëngjesit të ditës së sotme ( 25 prill 2022), po qarkullon online një peticion kundër qendrimeve politike të Ambasadores amerikane në Shqipëri Znj.Yuri Kim.
“Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim ti përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare”, thuhet në këtë peticion.
“Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar. Ky stil “diplomatik” nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA“, shkruhet ndër të tjera në peticionin kundër Ambasadores Yuri Kim.
Qe nga shpallja “non ngrata” e ish kryeministrit Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit vitin e kaluar, në opinionin publik ka patur disa herë pakënqësi në mënyren se si Ambasadorja Yuri Kim ka menaxhuar qendrimet publike politike.
Postimi i plotë i organizatorëve të peticionit;
“Ambasadorja Kim, Mjaft eshte Mjaft!”
“Kohët e fundit, kemi parë me shqetësim sjelljen jo-diplomatike dhe ndërhyrjet e paprecedenta të Ambasadores të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim në ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare.
Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar.
Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikano-Shqiptare, shikojmë me trishtim se imazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dëmtuar edhe për shkak të ndërhyrjeve brutale të znj. Kim në çështjet e brendshme të vendit në të cilin gjithsesi ajo është një mysafire.
Demokracia Amerikane që vazhdon të mbetet ëndrra e modeli i shumicës dërrmuese të shqiptarëve të cilët i lidh me SHBA një ndjenjë e thellë mirënjohjeje e partneriteti, na mëson që asnjë qytetar me dinjitet nuk duhet të pranojë këtë lloj trajtimi dhe “diplomacie”!
Përveç të tjerave ky stil “diplomatik” nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA!
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë që mendon se rruga drejt demokracisë nuk kalon nga makinacionet e intrigat por vetëm nëpërmjet votës së lirë dhe verdiktit të shumicës të na bashkohet në reagimin qytetar për dinjitet duke firmosur peticionin: “Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough”.
Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim ti përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare!
Ne kemi bindjen se vetëm një diplomaci korrekte ndihmon demokracinë tonë dhe frenon dëmtimin e mëtejshëm të imazhit të SHBA-së tek shqiptarët, të cilët sot e kësaj dite e konsiderojnë atë tempullin e lirisë dhe demokracisë.”
Linku i Peticionit online: https://www.change.org/p/ambasador-kim-enough-is-enough
Kujtojmë se javen e kaluar ka patur disa akuza të forta nga ish-kryeministri Berisha kundrejt ambasadores amerikane për ndërhyrje në sistemin e drejtesisë .
“Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe s’duhet të bëjë. Pashë aty shqetësim edhe për akuzat. T’i harrojë kush përpjekjet që mund të diktojë. Unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen, por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova, thashë se kam informacion për dy burime. Së fundmi, guvernatorja bën takime për procesin gjyqësor i cili në mënyrë absolute nuk ka asnjë bazë ligjore.
Sepse kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Dhe unë këtu, i bëj thirrje qeverisë së SHBA-ve të ndalojë ndërhyrjet e saj, e përfaqësues së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa Berisha e akuzoi për ndërhyrje në procesin gjyqësor të PD-së, Ambasadorja Yuri Kim shkruan në “Twitter” se nëse kjo nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve
duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë “PO”, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë.
“Nëse ‘ndërhyrje në procesin gjyqësor’ nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, deklaron ambasadorja e SHBA-ve.
/Argumentum.al