Para pesë viteve në po këtë ditë në Maqedoninë e Veriut ndodhi sulm terrorist në tempullin e demokracisë në Kuvend nga grupe që protestonin me ditë të tëra para Kuvendit, e që nuk ishin vetëm protestues sepse ishin të porositur e të urdhëruar për të shkaktuar trazira në vend e brenda Kuvendit, shkruan Zhurnal.
Më 27 prill të vitit 2017, ndodhi ngjarja më e kobshme ishte natë e përgjakshme për tërë Maqedoninë e Veriut, kishte sulm në Kuvend rrahje të deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” e cila udhëhiqej nga persona të eksponuar të VMRO-DPMNE-së. Ky sulm ndodhi pikërisht pas disa çasteve që në krye Kuvendit u zgjedh një shqiptar, Talat Xhaferi.
Nga dhuna në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti të lënduar ka qenë Ziadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.
Ziadin Sela ishte cak i protestuesve ishin të porositur për vrasjen e tij, prandaj edhe ishin koncentruar për dërgim të porosisë në vend dhe të gjithë të mobilizuar në kërkim të fytyrës ës Selës. Pasi e kanë parë e kanë gjuajtur me shtigje flamujsh, e gjë sende tjera të rënda deri sa ia kanë humbur vetëdijen. Pastaj e kanë rrahur brutalisht me mjete të rënda dhe të shtrirë në tokë e kanë vendosur në një vend që ta shqelmonin të gjithë që ishin aty. Por ata nuk ia kishin dhënë jetën për t’ia marrë, prandaj shpëtoi edhe se ishte gjysmë i vdekur e pa ndjenja.
Shpëtimtari i Ziadin Selës ishte Feta Alimi i cili ishte punonjës sigurie në Kuvend, e kishte marrë Selën dhe ia kontrollon pulsin e sheh se ka shenja jete, ndërkaq protestuesve u thotë se ka vdekur, pastaj Alimi e merr Selën dhe e fut në dhomën 334 të Kuvendit, për ta larguar nga turma dhe për ta ndihmuar që të shpëtojë.
Ndërkaq nga organet e drejtësisë në vend po ky shpëtues, Feta Alimi, është dënuar me 7 vite burg.
Nga LSDM sot kujtojnë këtë ngjarje tragjike përmes një kumtese ku potencojnë se fajtorë kryesor të asaj nate të përgjakshme është pikërisht VMRO-DPMNE.
“27 prilli është data më e nxirë në historinë e demokracisë së Maqedonisë. Dhunues të armatosur, të nxitur nga VMRO-DPMNE kryen sulm në Kuvend, duke tentuar të vrasin deputetë, të lëndojnë gazetarë dhe të punësuar në shërbimet e Kuvendit, të rrënojnë rendin kushtetues dhe shtetin ta shtyjnë drejt një humnere. Ato dhunues ishin të mbështetur madje me prezencë personale në Kuvend, personalisht nga Hristijan Mickoski. 27 prilli është fytyra e vërtetë e VMRO-DPMNE-së, partia e cila edhe pas pesë viteve nuk ka asnjë ndryshim. Mickoski nuk ka lëvizuar asnjë milimetër nga matrica dhunuese e shefit të tij Gruevski”, thonë nga LSDM.
Aleanca për Shqiptarët sot përmes një ekspozite të titulluar “Regjimi i reinkarnuar, beteja e 27 prillit vazhdon” të mbajtur para parlamentit të Maqedonisë së Veriut ka reaguar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017.
”Sot mbushen 5 vite nga dita e betejës kundër një regjimi demokrature në vepër, me qëllim për të kthyer Maqedoninë e Veriut drejt normalizimit institucional dhe rrugës drejt një demokracie më të zhvilluar. Një betejë në të cilën u derdh gjak, u rrezikuan jetë dhe u sulmua tempulli i demokracisë. Por, sot pas 5 viteve, kjo betejë u shit nga një regjim i ri që tanimë ka marr përmasat e atij të kaluarit. Më 27 prill 2017 rrëzuam gjysmën e regjimit, Nikolla Gruevskin me klanin e tij dhe u zotuam se do të vazhdojmë për të rrëzuar edhe gjysmën tjetër, partnerin e Gruevskit, BDI-në. Në këtë ekspozitë shihen qartë, në mënyrë të ilustruar, ndodhitë e asaj dite, tha Naim Bajrami, përfaqësuesi i ASH-së.
Nga po e njëjta parti ka reaguar edhe sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari, i cili ka shkruar se kjo ngjarje është plagë e pashëruar, dhe se përgjegjësi për këtë rast nuk ka pasur.
“27 prilli, përveç se një plagë e pashëruar e demokracisë sonë së brishtë, është edhe rasti më eklatant i mënyrës së funksionimit të këtij sistemi parapolitik. Derisa struktura kriminogjene brenda organeve të rendit dhe partisë shqiptare në pushtet informonin Gruevskin rreth planeve për formimin e një shumice të re parlamentare, ish-Kryetari i Kuvendit Veljanovski bashkë me deputetët Mukoski, Vasilevski, Arnaudov e Dimovski u hapnin dyert e Kuvendit huliganëve të porositur nga jashtë për të ndalur rrëzimin demokratik të regjimit. Ish-deputeti Grubi kujdesej që të mirëpriste dhe inkurajonte terroristët ndërsa përqafohej me të birin e Mijallkovit që dirigjonte turmën në këtë sulm të paparë mbi tempullin e demokracisë dhe mbi jetën e përfaqësuesve të popullit”, ka shkruar Taravari.
“Parapolitika që bashkon regjimin e ri maqedon që shtirej se do të sillte ndryshimin, bashkë me regjimin e vjetër të përfaqësuar nga BDI dhe Mijallkov negociuan dhe sollën ligj të porositur për amnistimin e ekzekutuesve Mukoski, Vasilevski, Arnaudov e Dimovski. Të njëjtit amnistuan regjisorin Veljanovski duke pamundësuar marrjen e imunitetit të tij parlamentar. Dhe përsëri po të njëjtit mundësuan largimin e skenaristit Gruevski dhe gjetën një shqiptar fajtor kujdestar në personin e Feta Alimit i cili për faj të vetëm kishte shpëtimin e jetës së deputetit dhe Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela”, ka shtuar Taravari.
27 prilli duhet të kujtohet çdoherë që mos të përsëritet më asnjëherë, sulmi ndaj Selës ishte sulm ndaj gjithë shqiptarëve, zgjedhja e Talat Xhaferit në krye të Kuvendit ishte shpresë për të gjithë shqiptarët se erdhi koha të marrin atë që e meritojnë e të trajtohen denjësisht në vendin e shtetin e tyre. Pas pesë viteve gjasat për sulme të tilla janë minuar, ajo që po përballet shteti në këtë kohë është krimi dhe korrupsioni i thelluar që nuk po luftohen mjaftueshëm, si dhe rrugëtimi i vendit drejt BE-së, konkretisht shpresat e optimizmi për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në. /Zhurnal.mk