Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pritur në takim komisarin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, i cili qëndron për vizitë në Shkup.
Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski në takim shoqërohej nga zv/kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
“Në takim u diskutuan çështjet aktuale lidhur me sfidat e luftës në Ukrainë dhe perspektivat evropiane të rajonit. Bashkërisht u konstatua se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit është nevojë e vendeve në kornizat rajonale, por edhe e vetë BE-së”, thuhet në njoftim.
Theksohet se po ashtu ka edhe një pëlqim se tani është koha për të zhbllokuar integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, e cila përndryshe edhe për një kohë të gjatë mund të mbetet një çështje e hapur dhe nuk është në favor të asnjërës palë.
Kovaçevski theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të respektimit të vlerave evropiane dhe bisedimeve të bazuara në respekt dhe dinjitet, për të cilat “ranë dakord me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, në vendosjen e dialogut dhe pret marrëdhënie mbi këtë bazë”.
“Vendi ynë ka përmbushur detyrimet e tij dhe vazhdon të veprojë plotësisht në përputhje me politikat e BE-së dhe edhe një herë tregoi se është një partner i denjë i vendeve evropiane dhe e meriton mbajtjen përfundimtare të konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në”, tha Kovaçevski.