Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Várhelyi, Rama tha se, “patëm një diskutim të gjerë dhe shumë të hapur si gjithmonë mbi aktualitetin e procesit të integrimit. Mbi marrëdhëniet rajonale. Natyrisht edhe lidhur me situatën e luftës në Ukrainë. Si dhe me pasojat e saj. Mbi ekonominë e vendeve tona. Dhe patjetër që folëm edhe për stacionin e ardhshëm, të afërt, mbledhjen e Këshillit Evropian ku do të diskutohet përsëri çështja e hapjes së rrugës ose jo për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”.
Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi deklaroi sot se “objektivi ynë për integrimin e Shqipërisë në BE është që kjo punë të kryhet gjatë Presidencës franceze”.
Në konferencën me kryeministrin Edi Rama, Komisioneri Várhelyi tha se tema e rëndësishme e madhe është se kur do të mbahet konferenca e Parë Ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
“Ju e shikoni, që unë jam në një tur të Ballkanit Perëndimor. Isha në Sofje, Shkup dhe tashmë kam ardhur në Tiranë. Ndoshta, mund t’i keni parë mesazhet e mia publike në Sofje. Ne, duhet patjetër që të përdorim gjithçka kemi në dorë. Pra nuk mund të kemi një luftë në Europë dhe Europa të përdor të gjithë mundësitë saj që të stabilizojë Ballkani Perëndimor, sepse i gjithë procesi i zgjerimit dhe i integrimit ka të bëjë me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Pra është e vërtetë që në këtë proces ne jo vetëm shikojmë stabilitet, por mund të krijojmë dhe të vendosim stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj nuk mund të jap aspak kohë atyre që janë përfshirë në këtë proces që të mos bëjnë atë që duhet të bëjnë. Ne e dimë të gjithë se çfarë duhet bërë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë dhe të ecim përpara me punë, sepse në rast se nuk marrim atë vendim që mund të marrim, atëherë do të thotë që po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi nga ajo gjë që mund të bëjmë”, tha ai.
Komisioneri Várhelyi u shpreh se po punohet shumë me miqtë bullgarë dhe maqedonas.
“E vlerësoj shumë durimin e Shqipërisë dhe durimin e Kryeministrit Rama. Kërkoj pak më shumë durim nga ana juaj, sepse objektivi ynë është që kjo punë të kryhet gjatë Presidencës franceze. Pra ta bëjmë këtë gjë dhe të vazhdojmë të ecim përpara për atë gjë që është vërtetë e rëndësishme. Sepse e rëndësishmja nuk ka të bëjë me Konferencën e Parë Ndërqeveritare, me atë dokument, por çështja e vërtetë ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ne duhet të fillojmë të punojmë drejt anëtarësimit të vendit në BE, dhe duhet të punojmë për integrimin e vërtetë në terren. Dhe integrimi i vërtetë në terren nuk ka të bëjë vetëm me procesin, por me mënyrën si do ta ndryshojmë realitetin në terren jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe atë shoqëror. Detyra jonë është të integrojmë Shqipërinë në BE dhe nuk duhet të heqim sytë nga ky angazhim i përbashkët. Do të shkoj në Shkup dhe në Sofje çdo ditë po të jetë nevoja. Duhet kjo gjë dhe duhet ta kryejmë këtë punë, ta mbyllim tani”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nëse Këshilli Evropian nuk hap negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda 6-mujorit të Presidencës franceze, Shqipëria do të ndryshojë kursin dhe do të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut.
“Siç e dini të gjithë kjo nuk është një çështje që nuk lidhet me çfarë kemi bërë ose nuk kemi bërë ne Shqipëria, apo me ndonjë rezervë të Këshillit Evropian ndaj Shqipërisë, sepse nuk ka asnjë rezervë, por lidhet me ngërçin e krijuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.
“Unë e ndava dhe me Komisionerin që ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe si një pozicion të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht në konformitet me pozicionin e Komisionit dhe me pozicionin e Këshillit për mosndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky është pozicioni ynë aktual”, u shpreh Rama.
Por, theksoi kreu i qeverisë, “po ashtu e informova dhe me faktin që ne e kemi kryer një proces të Këshillimit Kombëtar me qytetarët shqiptar dhe janë pyetur qytetarët shqiptarë nëse do të ishin apo jo dakord që në rastin që edhe pas këtij 6-mujori me përfundimin e Presidencës franceze, gjendja mbetet e pandryshuar, Shqipëria të ndryshojë kursin dhe të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut”.
“Por kjo mbetet për t’u aktivizuar si qasje pas kësaj mbledhje të Këshillit Evropian. Dhe deri në këtë takim të Këshillit Evropian ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, u shpreh Rama.
Ukraina, roli i Shqiperisë
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama komisionari Varhelyi foli dhe për luftë e provokuar nga Rusia në Ukrainë.
A tha se ne diskutuam me kryeministrin dhe porsa i përket luftës të provokuar nga Rusia në Ukrainë dhe ramë dakord që kjo luftë duhet të marr fund menjëherë.
“Ne vlerësojmë së tepërmi, jo vetëm në Bruksel por në të gjitha kryeqytetet e BE, rolin e rëndësishëm që po luan Shqipëria, pas ajo ka qenë afër nesh në të gjitha vendimet dhe mbi të gjitha ka lehtësuar dhe ka moderuar pjesën më të madhe të punës në Këshillin e Sigurimit dhe Shqipëria është një partner i vërtetë i yni në këtë aspekt. Prandaj dua të falënderoj Shqipërinë dhe Kryeministrin Rama për të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin që ne kemi patur dhe do vazhdojmë të mbështetemi te angazhimi juaj në të ardhmen.”, theksi Varhelyi.
Ndërtimi i gazjellësit Adriatiko-Jonian në rajon BE-Azerbajxhan
Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e përbashkët me Komisionierin europian për Zgjerimin Olivér Várhelyi, se “BE së bashku me Shqipërinë është angazhuar shumë seriozisht për një projekt shumë të rëndësishëm strategjik për ne si Shqipëri dhe për rajonin, që është ai i gazjellësit Joniano-Adriatik”.
Rama tha se “qoftë Komisionieri Várhelyi i pari, qoftë Komisioni si i tërë, qoftë edhe nga ana jonë, kemi intensifikuar bisedat me Azerbajxhanin për të pasur një orë e më parë një kapacitet të plotë për fillimin e ndërtimit të këtij gazjellësi dhe këtu fondet i vë BE-ja, pavarësisht se mund të ketë aktorë të tjerë si partnerë. Ndaj për gjitha këto arsye nuk do thosha se SHBA e kanë më shumë në vëmendje rajonin se BE”.
Ndërkohë Komisioneri Várhelyi bëri të ditur paketën e investimeve në ekonominë shqiptare dhe atë të Kosovës.
/Argumentum.al