Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut kanë uruar besimtarët muslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në urimin e tij të publikuar në rrjetet sociale kujton se Muaji i Shenjtë i Ramazanit është muaji i agjërimit, dhurimit, faljes, muaji i forcimit të besimit, mirëkuptimit dhe respektit për të tjerët.
“Duke festuar së bashku këtë, si dhe festat e tjera fetare, ne dërgojmë qartë mesazhin se toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë janë shtyllat e shoqërisë maqedonase. Uroj që ditët festive t’i kaloni me më të dashurit tuaj, me shëndet dhe ndjenja të mirë. Gëzuar festën e Ramazan Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam”, është shprehur Pendarovski.
Përmes një video-porosie të publikuar në rrjete sociale, urim ka dërguar edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.
“Qoftë e bekuar dhe urime festa e Ramazan Bajramit! Të gjithë pjesëtarëve të besimit Islam në vendin tonë, në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe fetare islame, Ramazan Bajram. Uroj që ditët festive të Ramazan Bajramit t’i kaloni në gëzim dhe paqe në shtëpi, me shëndet dhe forcë shpirtërore!”, është shprehur Kovaçevski.
Urim ka dërguar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili mes tjerash ka uruar që kjo festë të rrezatojë ngrohtësi dhe dritë qe do i ngrohë zemrat.
“Shpresoj se të gjithë besimtarët e devotshëm do e mirëpresin Bajramin në një dimension më të lartë të fisnikërimit dhe ndërgjegjes së mendjes dhe trupit dhe atë energji të njëjtë do e ndajnë me të afërmit, me miqtë dhe të njohurit që fryma dhe aroma festive të përmbushë të gjitha shtëpitë dhe të rrezatojë ngrohtësi dhe dritë qe do i ngrohë zemrat, do të sjellë paqe dhe qetësi në shpirtrat dhe do të udhëzojë kah ndërtimi i respektit të ndërsjellë, ndjenjës së solidaritetit dhe humanizmit. Gëzuar Ramazan Bajrami!”, është shprehur Xhaferi.
Urime kanë dërguar edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe krerë të partive politike në Maqedoninë e Veriut.