Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin të martën. Sipas kanalit televiziv francez BFM, biseda zgjati mbi dy orë.
Biseda mes dy liderëve ishte e para që kur Macron u rizgjodh më 24 prill. Para kësaj, të dy presidentët biseduan më 29 mars. Të shtunën e kaluar Macron zhvilloi një bisedë me presidentin ukrainas Vladimir Zelensky.
Sipas Le Figaro, para bisedës me liderin rus, kreu i shtetit francez u takua në Pallatin Elysee me ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy.
Në fillim të shkurtit, Macron vizitoi Moskën dhe Kievin për bisedime me kolegët e tij rusë dhe ukrainas. Ai mban kontakte të rregullta si me Putinin ashtu edhe me Zelenskyn.
“Presidenti rus shpjegoi qasjen themelore ndaj negociatave me përfaqësuesit ukrainas. Në veçanti, ai theksoi se pavarësisht mospërputhjes dhe papërgatitjes së Kievit për punë serioze, Rusia mbeti e hapur për një dialog,” tha Kremlini.
Putin i thotë Marcon se vendet e BE-së i shpërfillin krimet e luftës të kryera nga forcat ukrainase. “U theksua se vendet anëtare të BE-së i shpërfillin krimet e luftës të kryera nga forcat ukrainase dhe bombardimet masive të fshatrave dhe qyteteve të Donbasit, të cilat vrasin civilë paqësorë”, tha në një deklaratë shërbimi i shtypit presidencial rus. Pala ruse vuri në dukje se “Perëndimi mund të kontribuojë për t’i dhënë fund këtyre krimeve duke ushtruar presion mbi autoritetet në Kiev dhe duke ndërprerë furnizimet me armë në Ukrainë”.
Putin dhe homologu i tij francez diskutuan gjithashtu sigurinë globale të ushqimit. Shërbimi i shtypit i Kremlinit tha se “pala franceze shprehu shqetësimin për problemin e ruajtjes së sigurisë globale të ushqimit”. Kjo është për shkak të sanksioneve perëndimore para së gjithash.
“Në këtë kontekst Putin theksoi se situata në këtë fushë u përkeqësua në radhë të parë nga sanksionet e vendeve perëndimore dhe nënvizoi rëndësinë e funksionimit të papenguar të infrastrukturës globale logjistike dhe transportit”, tha Kremlini.
Macron, nga ana e tij, bëri thirrje për një armëpushim dhe “i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë përgjegjësitë e saj si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit [Kombeve të Bashkuara] duke i dhënë fund këtij agresioni shkatërrues”, tha Elysee.
Zyra e Macron tha se ai shprehu “shqetësime të thella në lidhje me Mariupolin dhe situatën në Donbas, dhe i bëri thirrje Rusisë që të lejojë vazhdimin e evakuimit të uzinës Azovstal që filloi ditët e fundit”.
Qindra civilë dhe ushtarë raportohet se janë ende të bllokuar brenda fabrikës së çelikut Azovstal të Mariupolit, e cila është rrethuar nga forcat ruse.
Presidenti francez tha se ai mbetet i hapur “për të punuar për të gjetur një zgjidhje të negociuar” për të vendosur paqen. Putin tha se ai ishte “ende i hapur për dialog”, por kritikoi negociatorët ukrainas, duke i akuzuar ata për mospërputhje dhe të papërgatitur për punë serioze.
/Argumentum.al