Realpolitik “ Flash” No. 46
17 – 31 MAJ 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 6 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. JORGJI KOTE
1. Hiç, hiç, po Abili vdiq! Kjo fjalë e urtë të vjen ndërmend kur lexon Rezolutën mbi Shqipërinë të Parlamentit Europian më 19 Maj. Me vlerësime, çështje dhe rekomandimin për çeljen e negociatave në Qershor. Mirëpo, pastaj renditen jo 1, 2 e 3, por plot 23 pika me kritika, vërejtje dhe kërkesa ndaj qeverisë sonë. Nuk mbetet fushë pa u prekur – zgjedhjet e lira, respekti ndaj opozitës, krimi dhe korrupsioni, media, transparenca, etj. Ato ia bëri dhe më të qartë qeverisë në Tiranë më 23/24 Maj Kryetari i Komitetit të Jashtëm të Europarlamentit, gjermani David McAllister me 6 antarët e delegacionit nga të gjitha krahët politikë.
2. Shumë konfuzion, pak informacion pati gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias më 23 Maj në Tiranë. Pa asgjë të re në xhep, por me premtime të tipit “ do të….” të stërpërsëritura gjatë dy viteve të fundit. E dha si “sihariq” që Çështja e Detit do të shkojë në Hagë, edhe pse po këtë e kishte shpallur botërisht në Tetor 2020 po në Tiranë, por nuk tha se “ pse dhe ku ka ngecur sharra në gozhdë” që Deti nuk është nisur ende në Hagë. Veçse të nesërmen në Athine deklaroi se pengesa na qenkërka Presidenti Meta, i cili e përgënjeshtroi bindshëm më 30 Maj!“ Bozë” është bërë dhe premtimi për heqjen e ligjit të luftës dhe kërkesat për respektim të pakicave greke, kur ne jemi shumë më përpara se grekët. E reja brenda përsëritjeve ishte kërcënimi i hapur për të mos e përmendur Çështjen Çame, ndryshe ta harrojmë BE-në! Edhe çelja e Javës së Kulturës greke me vlera nuk është diçka e re dhe as Takimi i SEECP-së; këtij të fundit i është harruar dhe emri. Është Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore, të cilin deri në korrik e kryeson Greqia.
3. Në kalendat greke mund të shtyhet anarësimi i Ballkanit Pêrendimor në BE. Kjo për shkak të trendit të ri politik lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së, siç e konfirmoi dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel më 20 Maj në Tiranë. Në fakt, Charles Michel mbështeti zyrtarisht vizionin e ri për Europën që Presidenti francez, Macron parashtroi më 9 Maj në Parlamentin Europian në Strasburg, në cilësinë e tij dhe si Kryesues i rradhës i BE-së.
Edhe Charles Michel në Tiranë foli gjatë për “Bashkësinë e re Politike Europiane“. Veç 27 shteteve të BE-së, aty do të bëjnë pjesë si “antare të asociuara“ ato vende që mund të mos dëshirojnë ose mund të mos arrijnë dot të antarësohen në BE. Pjesë e kësaj Bashkësie do të jenë dhe 6 vendet e Ballkanit Perendimor, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia dhe vende të tjera me të cilat BE-ja ka bashkëpunim të ngushtë.
Për më shumë, kemi shkruar te “Në Pritje të Qershorit Europian“ te ARGUMENTUM.
4. Prapë “Jo“ Ballkanit të Hapur! Ishte mesazhi kryesor në takimet e Presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanovic në Prishtinë më 18-19 Maj dhe të Kryeministrit Kurti në Berlin në takimin me Kancelarin Scholz më 17 Maj. Një “JO“ plotësisht e drejtë dhe e argumentuar, sidomos kur Serbia vazhdon të mos denjojë t‘i bashkohet BE-së në sanksionet ndaj Rusisë dhe me qëndrime të mbyllura refraktare që nuk premtojnë asgjë për afrim, se pajtimi është fjalë e madhe, ndërsa dialogu me Beogradin praktikisht i pamundur. Së fundi, këtë “Jo“ e tha e Parlamenti Europian në Rezolutën e tij të 19 Majit. Sa për “PO“-në e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel në Tiranë më 20 Maj ajo ishte fare personale, siç e tha vetë; troç, më tepër nga halli që të mos ia prishte humorin mikpritësit shqiptar. Siç e kemi përmendur më parë, Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Eurpian e kanë shrenhur këtë JO me zë të lartë në dokumentat zyrtare në favor të Tregut të Përbashkët Rajonal. Kësisoj, Ballkani i H(K)apur ka mbetur vetëm një Tripalësh që vetëm i jep “oksigjen diplomatik“ Serbisë së Mbyllur; ai krijon dhe “sherr mes vedi“ siç ndodhi në Samitin e Budas më 29 Maj midis Vjosa Osmanit dhe Abazoviçit.
5. NATO në siklet është vënë nga Presidenti turk Erdogan, i cili ka paralajmëruar veton ndaj Suedisë dhe Finlandës, pas kërkesës për antarësim të përshpejtuar në NATO; tamam kur ky antarësim, falë standardeve të tyre të larta demokratike dhe bashkëpunimit me NATON mendohej formalitet disa mujor. Turqia kërkon ekstradimin e 33 elementëve sipas saj terroristë të PKK-së, mosmbështetjen e grupit sirian kurd, heqjen e embargos së eksportit të armëve të vendosur më 2020 dhe angazhimin e Suedisë/Finlandës në luftën ndaj terrorizmit. Pas demarsheve të deritanishme, duket se Erdoganit “i ka rënë pak inati“ me Finlandën, por jo me Suedinë, edhe pse ajo po mundohet “ta marrë atë me të mirë“ Le të shpresojmë që me demarshet dhe kompromiset e rastit, Erdoganit “do t’i bjerë inati“ dhe Viti i ri 2023 do t’i gjejë Suedinë dhe Finlandën në NATO.
6. Kievi brenda, Moska jashtë! Kjo ndodhi në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit( WEF) zhvilluar më 23-26 Maj, me praninë e 2500 personaliteteve të larta nga politika dhe biznesi dhe 50 liderëve botërorë; mungonin Presidentët e SHBA-ve, Kinës, Rusisë, Indisë, etj. Ky Forum zhvillohet tradicionalisht prej 50 vitesh në muajin shkurt në Davos të Zvicrës; për shkak të pandemisë këtë vit ai u shty në maj. Kësaj radhe, Kryefjala e tij ishte Lufta, agresioni rus dhe qëndrimi heroik i Ukrainës. Ay pati thirje dhe kërkesa për ndihma në të gjitha drejtimet, e sidomos fonde monetare, si për përballimin e luftës ashtu dhe rindërtimin e vendit. Presidenti ukrainas Zelenski kërkoi nga të gjithë që çdo mëngjes t‘i bëjnë pyetjen vehtes se çfarë duhet të bëj sot për Ukrainën. Edhe ky Forum vendosi sanksione ndaj Rusisë. Ajo u përjashtua nga WEF me të gjitha kompanitë pjesëmarrëse që kishin strehën e tyre te “Shtëpia e Rusisë“ në Davos. Ndërsa Ukraina u mbështet dhe ndihmua me praninë e 40 kompanive të tjera, prej të cilave 4 falas. Ndaj, thuhet gjithandej se Forumi më i madh dhe më i rëndësishëm i botës e gjen Kievin brenda, ndërsa Moskën jashtë tij. Një humbje goxha e madhe dhe për imazhin ndërkombëtar të Rusisë, duke patur parasysh jehonën planetare të WEF-it tashmë 50 vjeçar, siç e tha dhe themeluesi i tij 84 vjeçar Prof. Claus Schwab.
© 2022 Argumentum