Sot mbushen 20 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.N
Marsi i vitit 1999 ishte kurorëzim i më shumë se një dekade punë lobuese dhe edukuese në kryeqytetin e vendit më të fuqishëm të botës. Kurse, Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) ishte kurorëzim i mësimeve dhe përvojave të nxjerra nga fitoret e humbjet e pësuara gjatë gjithë kësaj kohe.
Në javët, muajt dhe vitet që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, NAAC kishte dalë në skenë si ndërmjetësuesja më e mirë dhe më profesionale mes pikëpamjeve dhe njohurive të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qendrimeve dhe politikave amerikane për Kosovën e Ballkanin.
Kur NAAC u themelua një mbasdite pranvere të vitit 1996, në Nju Jork, Kosova sapo ishte lënë jashtë procesit të paqes në Dayton dhe pavarësia e saj dukej se do të bëhej fli në altarin e paqes së madhe ballkanase.
Duke shkruar një libër për këtë organizatë kam pasur kënaqësinë të ndjek rritjen dhe fuqizimin e përgjatë evoluimit të këndvështrimeve amerikane ndaj Kosovës në atë vite kritike të punës sonë në Washington.
NAAC nuk lindi nga asgjëja. Këshilli qendronte në supet e larta të organizatave e shembujve pararendës, që nga Vatra e Nolit dhe Konicës, Rinia Kosovare në Botë, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, Degës së LDK-së për Shtetet e Bashkuara, Miqtë e Shqipërisë e dhjetëra organizata të tjera që punuan në vite duke perfeksionuar mënyrat e ndikimit dhe edukimit në makinerinë e politikës së jashtme amerikane.