Ekosistemi i startup-eve vjen si një risi për qeverinë shqiptare, e cila ka menduar një fond prej 10 milion eurosh në katër vitet në vazhdim në mbështetje të të rinjve, por jo vetëm drejt sipërmarrjeve novatore, që i sjellin jo vetëm Shqipërisë, por Evropes dhe mbarë botës një risi, e cila në vetvete bëhët pronë globale.
“Për t’ia arritur këtij qëllimi duhet shumë kurajo, kurajo e cila falë mbështetjes së qeverisë shqiptare nga ky vit e për katër vite në vazhdim do të jepen çdo vit 2.5 milion euro, në ekosistemin e startup-eve, por edhe të atyre që do të mbështesin e do të inkurajojnë moshat dhe brezat e ndryshëm drejt së resë asaj çfarë na bën konkurent të së tërës”, kështu shprehet Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarjes, zj, Edona Bilali, në një intervistë për Argumentum.al
Ministrja znj. Bilali ka folur mbi aplikimin e ligjit të Start Up-ve në Shqipëri dhe procesin e Thirrjes së Parë të MSHMS për startup dhe lehtësues, ku thekson se një vend kryesor në këto thirrje do të zënë gratë dhe vajzat, por edhe për trendin pozitiv të aplikantëve drejt teknologjisë së informacionit.
Argumentum.al: Zonja Bilali, që prej 10 qershorit 2022, është mbyllur Thirrja e Parë e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes; pse pikërisht duhej një ligj për Startup-e?
Znj. Edona Bilali: Ligji u miratua në parlament në muajin mars të këtij viti dhe në të parashikohet që bizneset e regjistruara si “Start Up”, të kenë mundësi të përfitojnë këshillim pa pagesë, të përjashtohen nga taksat vendore, taksat e pasurisë së paluajtshme, të ndërtesës si dhe nga tatimi mbi fitimin për dy vite rresht. Nga Buxheti i Shtetit janë ndarë 10 milionë euro për këtë kategori biznesesh dhe financimin e tyre në hapat e parë. Çdo ditë e më shumë shohim të rinj krijues me ide jashtë kornizave dhe trendet e startup-eve lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit, pavarësisht sektorit ku ato aplikohen.
Në disa intervista keni theksuar dëshirën që tu jepet një mundësi vajzave dhe grave. Janë arritur prishtshmëritë tuaja, dmth kanë aplikuar vajza e gra për të përfituar nga grandi për Startup-e?
Numri i vajzave dhe grave në ekosistemin e Startup-eve, por në tërësi edhe në botën e sipërmarrjes, është tepër inkurajues. Dukshëm trendi është pozitiv vitet e fundit, duke marrë edhe parasysh thirrjen e fundit të Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ato kanë si qëllim të mbështesin fuqizimin e grave dhe të vajzave. Një tjetër qëllim është që të kemi mundësi të shkojmë në një barazi gjinore edhe në këtë aspekt, por duhet edhe më tepër punë.
A kishte kjo thirrje një fokus tematik të caktuara, apo orientimi ishte gjithpërfshirës?
Shqipëria është një nga vendet ku startup-et janë të orientuara drejt sektorit të turizmit, bujqësisë dhe shërbimeve. E dukshme është që çdo sektor më pas ndërlidhet me teknologjinë.
Si paraqitet Shqipëria kur e krahasojmë me vendet e rajonit dhe ato të BE-s, në implementimin e këtij ligji?
Bashkimi Europian sigurisht që ka nisur mbështetjen e inovacionit dhe të startupeve vite më parë, dhe ka mjete financiare të cilat i ka tashmë në punë prej dhe janë të konsoliduara.Ndërkohë Shqipëria në mars e kaloi ligjin për Start-up-et. Me rajonin ne jemi të krahasueshëm, por në përgjithësi rajoni në raport me Bashkimin Europian ka akoma punë për të bërë.
Duke ju rikthyer edhe njëherë pyetjes, a do të favorizohen gratë dhe vajzat që kanë aplikimet e do të aplikojnë në vijim?
Po. Gratë dhe vajzat edhe në ligj janë të përmendura si kategori, të cilat marrin mbështetje të veçantë, ashtu sikurse edhe vetë në thirrjen e parë që ishte hapur për aplikime të tipit grant. Në momentin që vinte nga sipërmarrës grua apo vajzë kishte pikë shtesë në aplikim. Ne jemi duke u munduar me instrumenta të diskriminimit pozitiv të rrisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në ekosistemim e startup-eve. Trendi është në rritje, por kemi ende punë deri në momentin që të arrijmë në një industri të konsoliduar në nivel barazie në pjesëmarrje.
/Argumentum.al