Nga Bedri RAMIZI
Më ka ndodhur shpeshherë në punën time të gjatë me të rinjtë dhe me njerëzit në përgjithësi, të përjetojë eksperienca të tilla që mbeten shume gjatë në memorie.
Jeta reale, kontaktet e shpeshta njerëzore, ndërveprimi me aktorë të ndryshëm, dëshira për të zbuluar në këtë larmi komunikimi prirje pozitive, i bëjnë këto eksperienca më të prekshme dhe më dobiprurëse. Ato shpesh na shfaqen si mekanizma që vënë në lëvizje punët për të promovuar ide, njohur më mirë realitetin dhe garantuar suksesin e dëshiruara në punët tona. Mirëpo për të arritur tek suksesi duhet përgatitje dhe durim, dëshirë për të dëgjuar dhe mundësi për reflektim, duhet të gjësh, si të thuash, atë çelës magjik që bën mrekullira në punën me njerëzit. Ky çelës është vëmendja për tu lartësuar profesionalisht çdo ditë, vendosmëria për të dëgjuar njerëzit dhe kuptuar hallet e tyre, si dhe dëshira për të qenë i gatshëm për t`u shërbyer atyre me standartet që ata meritojnë.
Të tillë profesionistë të përkushtuar, sot i gjen kudo. I gjen në biznese private, në administratën shtetërore, në institucione të kujdesit shëndetësor, në spitale apo poliklinika dhe qendra shëndetësore, në polici e kudo ku u ofrohen shërbime qytetarëve. Ata janë të thjeshtë, nuk duan të bien shumë në sy, nuk para pëlqejnë të dalin para kamerave apo të ankohen për rroga që nuk u mjaftojnë. Me mirësinë që rrezatojnë, ata i bëjnë mire jo vetëm vetes, por mbi të gjitha, i shërbejnë shoqerisë, e bëjnë atë më humane, e çojnë atë më pranë jetës reale dhe vështirësive të njerëzve, i japin vendit shpresë dhe besim për të ardhmen.
Nuk do të doja të zgjatesha për rëndësinë që kanë këta njerëz në jetët tona, por periudha e zgjatur e pandemisë, me plot të papritura, i ka orientuar edhe me shumë kontaktet tona dhe të familjarëve tanë drejt shërbimit shëndetësor. Kjo ka bërë që të njohim më mirë vetveten dhe të vlerësojmë tjerët, veçanërisht mjekët. Përtej rasteve të izoluara, ajo çka konstatojmë me kënaqësi është se mjekët janë heronjtë tanë të kasaj kohe. Ata kanë qenë aty, pranë nesh, me orar dhe pa orar, të gatshëm për të na ofruar më të mirën për shqetësimet tona. Pa përkushtimin e tyre të sinqertë dhe angazhimin e tyre profesional do ishte tepër e vështirë për të përballuar sfidat e shumta të pandemisë Covid-19.
Po le të kthehemi tek shërbimi shëndetësor publik, e në mënyrë të posaçme, tek shërbimi shëndetësor parësor. Sepse ai përbën portën kryesore dhe kontaktin e parë të shumicës së qytetarëve. Pa pretenduar të jem ekspert i fushës, është e natyrshme të kuptosh se shërbimi në klinikat private është më cilësor, por i papërballueshëm financiarisht nga shumica e qytetarëve. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se edhe shërbimi publik në përgjithësi dhe ai parësor në veçanti, ka ndryshuar tërësisht konceptimin dhe cilësinë e tij, ka shtuar profesionalizmin dhe ka integruar teknologjinë e përparuar në parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kurimin e shumë sëmundjeve.
Sot ka shumë poliklinika specialitetesh dhe qendra shëndetësore në të gjithë vendin. Tirana, si qendra me e madhe urbane, numëron shumë prej tyre. Ato janë bërë tashmë pikat më të rëndësishme të referencës për të gjithë qytetarët. Por këtë radhë vendosëm të hedhim disa rreshta për Qendën Shëndetësore Nr. 4 në Tiranë duke qenë se konstatimet tona janë reale për shkakt të kontakteve tona, të familjarët tanë dhe shumë njerëzve të tjerë të njohur. Por jo vetëm thjesht për këtë fakt.
Kjo Qendër Shëndetësore është shndërruar sot në nje model që reflekton me besueshmëri ndryshimet e mëdha në qasjen e shërbimit mjekësor parësor ndaj qytetarëve, përkushtimin profesional të stafeve, trajnimet e vazhdueshme të brendshme e të jashtme, rinovimi i mjediseve, menaxhimi i të dhënave, përdorimi i pajisjeve të fundit diagnostikuese dhe i laboratorëve të analizave dhe, ajo çka përbën thelbin e këtij transformimi, aplikimi me profesionalizëm i kodit të etikës në sjelljen me pacientët duke e ngritur të gjithë punën e saj në funksion të një qëllimi të vetëm; shërbimin cilësor dhe profesional ndaj pacientit.
E ndodhur pranë zemrës së kryeqytetit, Qendra Shëndetësore Nr. 4 përbën sot imazhin e tërë atij ndryshimi që ka ndodhur në shërbimin shëndetesor këto vitet e fundit. Sikurse të gjitha qendrat e tjera shëndetësore, edhe Qendra Shëndetesore Nr. 4 në Tiranë ofron kujdes gjithpërfrishës, ku rol parësor marrin mjekët e familjes të cilët ndjekin problemet shëndetësorë të banorëve të zonave të tyre respektive. Ata identifikojnë problematikat shëndetësore, këshillojnë dhe vlerësojnë gjëndjet shëndetësore, plotësojnë dokumentacionin e nevojshem, menaxhojnë dhe ndjekin problemet e pacientëve për edukimin e tyre shëndetësor me synim parandalimin, diagnostikimin , trajtimin dhe kurimin e tyre. Në këtë qendër qytetarët marrin gjithashtu shërbime të tjera të rëndësishme si ato të kujdesit parësor, të pediatrisë dhe posaçërisht të kujdesit për të porsalindurit, të kardiologjisë, të kujdesit ndaj të moshuarëve, të kryerjes së të gjitha analizave të gjakut dhe ekzaminimimet e urinës deri tek check-up -it, mbulimi i vaksinimit e me radhë, të gjtha shërbimet e tjera që u nevojiten pacienteve, nëpërmjet rekomandimeve, planifikimeve dhe ndjekjes së problemeve të tyre nëpër hallkat e tjera të sherbimit shëndetësor, të cilat janë të integruara dhe të bashkërenduara me poliklinikat e specialiteteve dhe spitalet qëndrore për të ofruar kujdesin e specializuar, sipas nevojave.
E rikonceptuar dhe rikonstruktuar rishtazi, kjo qendër të mirëpret në mjediset e saj të dizenjuara me shije, shumë funksionale, më tabela orientuese për sherbimet që ofrohen, ku dominon rregulli dhe pastërtia shëmbullore. Kësaj Qendre Shëndetësore i shërben një staf i mrekullueshëm profesionistësh. Si gjithmonë, në krye të punëve Drejtorsha e saj, Dr. Valbona Seiti e cila, si mjeke dhe drejtuese, me përkushtimin dhe angazhimin e saj njerëzor dhe profesonal e ka kthyer këtë qendër në një vend ku përkujdesi maksimal për pacientin përbën boshtin themelor të punës së përditshme. Ndaj për të dhe stafin që ajo drejton nuk ka orare fikse. Vetë ajo, së bashku me mjekët, infermieret dhe sanitaret janë të parët që hapin qendrën para kohe për tu siguruar se të gjitha detajet e punës, duke nisur nga higjena e deri tek menaxhimi i çdo detyre tjetër, të kryhen me përsosmëri. Infermieret e laboratorit të analizave presin me shumë mirësjellje dhe durim pacientet e radhes. Kurse vajzat specialiste të check-up-it nuk ngurrojnë të të ftojnë për ekzaminimet duke inkurajuar dhe kushtuar vëmendje maksimale për pacientët. Në vijen e parë të punëve qëndrojnë edhe infermieret e reja e të pasionuara të vaksinimit. Me durimin dhe sjelljen e tyre prej profesionistesh të vërtata, ato ua lehtësojne shumë punën pacientëve duke u hequr atyre edhe ato pak ngurrime dhe strese që lidhen me procesin dhe duke ofruar siguri e gatishmëri për të vaksinuar edhe në shtëpi ata persona që nuk janë në gjendje për të ardhur fizikisht pranë qendrës.
Këtë mori detyrash, stafi i Qendrës Shëndetësore Nr. 4 në Tiranë ka arritur ta përmbush me sukses fal punës në ekip, zhvillimit të vazhdueshëm profesional, njohjes së detajuar të situatës shëndetësore të pacientëve të saj, adresimit të problematikave si dhe trajnimit e përditësimit të vazhdueshëm të stafit me të rejat më të fundit të fushës.
Nuk ka dyshim se në këtë mori përpjekjesh ka patur dhe ka edhe vështirësi që lidhen me procesin e natyrshëm të përsosjes, me situatën pandemike apo me aspekte të tjera të menaxhimit, por angazhimi profesional dhe përkushtimi i stafit të kësaj qendre shëndetësore japin besim se edhe në të ardhmen, ajo do të qëndrojë në lartësinë e kërkesave të kohës për të ofruar dhe menaxhuar më cilësi atë shërbim shëndetësor që qytetarët me të drejtë meritojnë.
Tiranë, korrik 2022
/Argumentum.al