Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të premten ka vazhduar debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, shërbimet e Kuvendit paralajmërojnë se seanca mund të mos përfundojë as ditën e premte.
Deputetët e VMRO DPMNE-së përmes fishkëllimeve me bori i kanë penguar deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Ata u akuzuan nga deputetët e LSDM-së, se përveç kaosit, nuk ofrojnë asgjë tjetër për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ju doni të kemi shtet të robëruar, ju nuk ofroni asgjë përveç bllokimit dhe kaosit në shtet. Qytetarët që ndodhen jashtë Kuvendi, jo ata rreth jush, por të tjerët, presin zhvillim, mirëqenie ekonomike, integrim të vendit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve të zhvilluara. Të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet ranë në ujë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e tha qartë dhe me zë të lartë se gjuha maqedonase është gjuha jonë, e pastër dhe e mbrojtur…Ne jemi maqedonas dhe si të tillë do të mbetemi dhe do të hyjmë në BE”, deklaroi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska-Vançeva.
Propozimi parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.
Propozimi i Francës, prej shtatë pikash, kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese.
Pavle Trajanov, deputet i Lidhjes Demokratike që është pjesë e pushtetit, e mbështet propozimin, por kërkon që të miratohen edhe një konkluzion që të ketë vetëm një konferencë me BE-në.
“Unë jam për një konferencë ndërqeveritare, me të cilën do të fillojnë negociatat me BE-në dhe pastaj do të hapen kapitujt. Pra, hapja e kapitujve nuk duhet të kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese”, tha Trajanov i cili në disa raste ishte kërcënuar me largim nga Qeveria nëse pranohet propozimi francez.
Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase. Sofja pretendon se gjuha maqedonase deri para vitit 1945 ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet./Marre me shkurtime nga Rel