Ambasada amerikane, ajo gjermane dhe delegacioni i BE-se në Tiranë kanë përshëndetur sot vendimin e qeverisë për miratimin e hartës së re gjyqësore.
Ndonëse ky vendim i qeverisë nga kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia është quajtur një hap antikushtetues duke njoftuar se po Gjykata Kushtetuese duke e kundërshtuar miratimin e hartës së re gjyqësore. Ndërkombëtaret e kanë vleresuar si domosdoshmeri të plotësimit të Reformes në Drejtësi.
Reagimi i Ambasades amerikane
“Mirëpresim miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot. Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë”.
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë
“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë më tej Shqipërinë, edhe në hapat e ardhshëm të zbatimit të reformës në drejtësi”.
“Lufta kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten synimet kryesore të reformave në Shqipëri”, shtoi Ambasada.
“Në procesin e anëtarësimit sundimi i ligjit është tejet parësor”, përfundoi Ambasada gjermane.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë
Në një postim në rrjetet sociale, delegacioni i Bashkimit Evropian theksoi se, “miratimi i sotëm i hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Ministrave është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave në Shqipëri”.
“Harta e re, e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi dhe është zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve të BE-së, Këshillit të Evropës dhe SHBA-së. Një plan solid zbatimi tani është kyç”, nënvizoi Delegacioni i BE.
“Bashkimi Evropian mbetet një mbështetës i fortë i reformës në drejtësi në Shqipëri”, përfundoi Delegacioni i BE.
/Argumentum.al