Ish-deputeti dhe përfaqësuesi i komunitetit maqedonas në Shqipëri, Vasil Sterjovski thotë se në vendin tonë nuk ka minoritet bullgar, ndersa me krijimin e komisionit të posaçëm për reformën territoriale kerkon që të adresohen kërkesat e tyre për krijimin e dy bashkive të reja minoritare maqedonase në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sterjovski deklaroi se Bullgaria i konsideron si bullgarë komunitetet maqedonase jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Ballkanit dhe kjo lidhet me politikën e Sofjes nsaj Shkupit.
“Minoritet bullgar nuk ka në Shqipëri. E gjitha kjo lidhje me politikat dhe qëndrimin e shtetit bullgar, që ka në përgjithësi me kombin maqedonas dhe kudo ku ka minoritet maqedonas në vendet e tjera të Ballkanit, Bullgaria pretendon se këto janë bullgarë.
Bullgaria ka shtrirë propagandën e saj në zonat ku jeton minoriteti maqedonas në Shqipëri, në zonën e Gorës, Prespës dhe Gollobordës. Janë të gjithë përpjekjet e Bullgarisë duke shfrytëzuar rastin që është edhe vend anëtar i Bashkimit Evropian, me presionet e saj.”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Sterjovski u shpreh se komuniteti maqedonas e ka mirërpitur krijimin e komisionit të posaçëm për reformën e re territoriale dhe se shpresojnë që të adresohen kërkesat e tyre për krijimin e dy bashkive të reja minoritare maqedonase në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës.
“Ne si komunitet maqedonas mbështesim përshëndesim krijimin e komisionit të posaçëm për reformën territoriale në Shqipëri dhe shpresojmë që me përfundimin e punimeve, ky komision do adresojë dhe kërkesat tona të hershme që përveç Bashkisë së Pustecit, e banuar 100% me komunitet maqedonas, të krijohen edhe dy bashki të reja minoritare maqedonase, në zonën e Gorës në qarkun e Kukësit dhe në zonën e Gollobordës në qarkun e Dibrës.
Janë të gjitha kushtet që të krijohen këto dy bashki të reja minoritare maqedonase, sepse janë zona kompakte të banuara me popullsi maqedonase. Këtu jetojnë banorët autoktonë maqedonas”, theksoi ai.
Përveç minoritetit maqedonas, edhe ai bullgar ka parashtuar kërkesën për krijimin e dy bashkive.
/Argumentum.al