Ministria e Mbrojtjes ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar në lidhje me arrestimin e shtetasve çekë të cilët po filmonin në afërsi të tuneleve në Poliçan.
“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri-tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke”, informon Ministria.
Ministria bën të ditur se, rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
“Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend”, përfundon njoftimi.